Nasreen Sultani, drejtoresha e shkollës së mesme të vajzave në Kabul ka kaluar vite duke luftuar për të drejtat e vajzave afgane, por ajo tani thotë se po jeton në frikë të vazhdueshme për sigurinë e nxënësve të saj.
“Unë u përpoqa, por ne nuk arritëm të sigurojmë që gratë të dalin nga kjo situatë e mjerueshme”, tha Sultani për NBC News. Dëshpërimi i saj u rrit të dielën pasi presidenti afgan Ashraf Ghani u largua nga vendi, duke i lënë talebanët në prag të marrjes së pushtetit.
Ajo tha se ishte përpjekur t’i mbante vajzat të motivuara për të mirën e tyre dhe t’i motivonte ato të studionin. Gjatë javës së fundit, luftëtarët talebanë në të gjithë Afganistanin kapën një varg qytetesh kyçe.
Ofensiva e madhe erdhi pasi forcat amerikane dhe trupat e tjera ndërkombëtare filluan të tërhiqen në muajin maj. Sultani është njëra nga shumë gratë afgane në role drejtuese që thonë se kanë frikë se një rikthim i talebanëve do të nënkuptojë një kthim të ashpër të interpretimit të tyre të Islamit.
Nën regjimin e mëparshëm të talebanëve, vajzave iu ndalua që të shkonin në shkollë, ndërsa grave u ndalohej të dilnin në publik pa mbulesa të plota të trupit dhe pa përcjellje nga burrat. Ata që shkelën rregullat e talebanëve u përballën me rrahje publike dhe ekzekutim.
“Gratë në qytetet që kanë rënë nën kontrollin e talebanëve tashmë janë si të burgosura në shtëpitë e tyre”, tha një zyrtar i qeverisë provinciale në Afganistan.