Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë afgane të arrestuara nga talibanët raportojnë përdhunime dhe vrasje

QIKA 4.12.2024

Në muajt e fundit, një numër i madh grash afgane kanë raportuar arrestime nga zyrtarët talibanë për shkak të kërkimit të lëmoshës, një akt i ndaluar sipas ligjeve të reja të vendosura nga regjimi. Gratë kanë dëshmuar se gjatë qëndrimit të tyre në burgje janë përballur me abuzime seksuale, tortura dhe punë të detyruar. Disa prej tyre kanë pohuar se kanë qenë dëshmitare të rrahjes dhe abuzimit të fëmijëve, përfshirë edhe raste të vdekjeve të fëmijëve në paraburgim.

Që kur talibanët morën pushtetin në 2021, grave afgane iu është ndaluar puna e paguar, gjë që ka rritur nivelin e varfërisë në vend, veçanërisht në mesin e familjeve të udhëhequra nga gratë, raporton the Guardian.

Në maj të këtij viti, regjimi taliban miratoi një ligj që ndalon kërkimin e lëmoshës nga individë të cilët, sipas autoriteteve, kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar ushqimin ditor. Për të zbatuar këtë ligj, një komision i posaçëm është krijuar për të regjistruar lypësit, duke i kategorizuar ata si “profesionistë,” “të varfër,” apo “të organizuar.” Komisioni merr të dhëna biometrike, përfshirë shenjat e gishtave të individëve. Deri më tani, vetëm në Kabul, janë regjistruar mbi 60,000 kërkues lëmoshe, sipas burimeve talibane.

Një nënë 32 vjeçare, tregon se është detyruar të shpërngulet në Kabul dhe të kërkojë lëmoshë në mënyrë që të ushqej tre fëmijët e saj. Ajo nuk ishte në dijeni të ligjit kundër lëmoshës derisa u arrestua. Ajo kaloi tri ditë në një burg taliban dhe u detyrua të gatuante, të pastronte dhe të lante rrobat e burrave që punonin aty. Kur ajo refuzoi regjistrimin e të dhënave të saj biometrike, u rrah deri në humbje ndjenjash dhe më pas u përdhunua.

Sipas raportimeve të mediave afgane, përfshirë Zan Times, disa gra të burgosura kanë dëshmuar raste të abuzimit të fëmijëve në paraburgim. Një grua pretendon se dy fëmijë u rrahën për vdekje gjatë qëndrimit të saj në burg.

“Asnjë nuk guxonte të fliste,” tha ajo. “Nëse flisnim, na rrihnin dhe na quanin të paturpshme. Të shihja ata fëmijë të vdisnin para syve të mi është diçka që nuk do ta harroj kurrë.”

Sipas ligjit, personat e kategorizuar si “të varfër” supozohet të marrin ndihmë financiare pas lirimit nga burgu. Megjithatë, asnjë nga gratë e intervistuara nuk raportoi se kishte marrë ndonjë ndihmë të tillë.

Raportet e dhunës dhe abuzimit të sistematizuar ndaj grave dhe fëmijëve nën regjimin taliban kanë ngjallur reagime ndërkombëtare, duke theksuar gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut në Afganistan.