Katër gra që qëndruan në hotele karantine në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë për BBC se ishin ngacmuar seksualisht nga rojet që punonin për kompaninë e sigurimit G4S.
Njëra prej tyre tha se përderisa ishte në ashensor me një roje, ai imitonte marrëdhëniet seksuale para saj, ndërsa një gruas tjetër njëri nga rojet i kishte kërkuar që të bënin selfie dhe një “përqafim”.
Këto kompani private si G4S, ishin kontraktuar nga qeveria për të siguruar mysafirët e hotelit dhe t’i respektojnë rregullat e karantinës. Kompania deklaroi se nuk kishte pritur këto sjellje nga stafi dhe filloi hetimet për keqpërdorim të detyrës.
Udhëtarët janë të detyruar të hyjnë në karantinë në hotele pasi të kthehen nga vendet që janë në listën e kuqe në Mbretërinë e Bashkuar, ku normat e infeksionit me COVI-19 janë të larta. Personat kalojnë 10 ditë karantinimi në dhomat e tyre dhe lejohen të dalin vetëm për ushtrime ditore nën shoqërimin e gardianëve. Ndër të tjera, shtatë gra që folën për BBC, thane se rrallë ose kurrë nuk kishin parë një rojtare grua.
Hotelet theksuan për BBC-në se ata nuk ishin përgjegjës për rojet e sigurisë, të cilët ishin kontraktuar nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social. Përfaqësuesit e hoteleve Park Grand, Marriott Hotel dhe Radisson thanë se ata i morën akuzat shumë seriozisht, duke shtuar se ata e kishin nxitur G4S të vazhdonte hetimet.