Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë flasin hapur për ngacmimet në LinkedIn

QIKA 22.12.2021

Mesazhet duken të pafajshme në fillim. Një kërkesë për t’u miqësuar apo një bisedë për një interes pune të përbashkët – por më pas ato bëhen të papërshtatshme, seksuale dhe abuzive. Kjo është sjellja që gratë po raportojnë në LinkedIn, faqen e rrjeteve profesionale me afro 800 milionë përdorues në 200 vende në mbarë botën.

Përderisa sjellja e dëmshme dhe abuzive në internet është diçka që gratë e kanë përjetuar që kur u krijua interneti – me shumë raportime rreth ngacmimeve të përjetuara në faqe si Facebook dhe Twitter, tani edhe LinkedIn është shtuar në listën e hapësirave online ku gratë thonë se ngacmimet ndodhin çdo ditë. CTVNews.ca foli me gjashtë gra për atë që ato përjetojnë si përdoruese të LinkedIn dhe u kontaktua nga dhjetëra të tjera me histori të ngjashme të mesazheve të papërshtatshme, ngacmimeve dhe sjelljeve abuzive.

Drejtoresha e marketingut Bella Mitchell tha për CTVNews.ca në një email se mesazhet më të zakonshme të papërshtatshme që ajo merr janë nga burrat në LinkedIn, të cilët i drejtohen asaj për t’i thënë se e shohin atë si tërheqëse.

“Disa poashtu kanë kërkuar që të bisedojmë në telefon ose të takohemi. Një burrë i moshuar më dërgoi një mesazh duke më thënë: ‘Ti je shumë e bukur, a mund të të ofroj një intervistë me kompaninë time? Mendoj se do të ishe e përshtatshme’. Isha i tronditur nga guximi i tij, sidomos pasi që kompania e tij ishte një firmë konsulence me të vetmin punëtor… atë”, tha Mitchell.

Ndërsa ngacmimet dhe abuzimet mund të fillojnë në internet me mesazhe, disa gra kontaktuan me CTVNews.ca për të treguar se ato ngacmime shkuan përtej hapësirës online. Njëra prej tyre, April B, e cila kërkoi të mos identifikohej plotësisht për shkak të shqetësimeve të sigurisë personale, tha se disa burra kishin gjetur profilin e saj, kishin kërkuar kompaninë që ajo e listoi si vendin e saj aktual të punës dhe filluan të telefononin kompaninë në një përpjekje për t’u lidhur me të. April nuk e vendos më vendin e saj aktual të punës në profilin e saj në LinkedIn.

Të gjitha gratë e intervistuara nga CTVNews.ca thanë se donin një përgjigje më të ashpër nga platforma dhe më shumë pasoja për ata që raportohen për mesazhe të papërshtatshme ose ngacmime. “Është absolutisht e papranueshme të dërgohen mesazhe të padëshiruara të papërshtatshme në LinkedIn. Si një rrjet profesional, anëtarët tanë presin që përvoja e tyre në LinkedIn të jetë profesionale”, tha Linkendln në një deklaratë të dërguar me email për CTVNews.ca.

Kompania tha në deklaratën e saj se ka prezantuar një set mjetesh të reja dhe ka forcuar Politikat Profesionale të Komunitetit për të qenë edhe më të qartë në pozicionin e tyre ndaj ngacmimeve. “Anëtarët gjithashtu mund dhe duhet të raportojnë çdo mesazh të papërshtatshëm që marrin”, thuhet në deklaratë.