Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë gazetare fitojnë shumicën e çmimeve vjetore për gazetari

QIKA 12.12.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ndarë Çmimet Vjetore për Gazetari, ku nga më shumë se 20 gazetarë fitues të çmimeve shumica janë gazetare gra – përfshirë edhe çmimin kryesor “Gazetari/ja i/e Vitit”.

Këto çmime tashmë të përvitshme ndahen për 12 kategori të ndryshme ku përfshihen raportimet më të mira që lidhen me fuqizimin e gruas, sportin, antigjipsizmin, ndryshimet klimatike, ndërtimin e besimit etj.

Çmimet që i fituan gratë gazetare:

Çmimi kryesor, “Gazetari/ja i/e Vitit”, iu nda gazetares Ardiana Thaçi Mehmeti nga “Kiks Kosova”, për punën e saj në ekspozimin e grupit famëkeq online, “Albkings”.

Në kategorinë “Web Storja më e mirë”, çmimin e fitoi Nadie Ahmeti nga ”Radio Evropa e Lirë”. Ahmeti raportoi mbi dhunën në familje dhe mungesën e mbrojtjes për gratë përmes stories së një gruaje që u vra tragjikisht nga ish-bashkëshorti i saj.

Në kategorinë “Çmimi për fuqizimin e gruas”, çmimi për vendin e parë iu nda Adelina Ahmetit, nga Kallxo.com. Ajo ekspozoi dështimet sistematike të gjyqësorit në rastet e dhunës në familje. Çmimi për vendin e dytë iu nda Blerta Ahmetit, nga Betimi për Drejtësi. Ajo theksoi diskriminimin në vendin e punës ndaj nënave të reja. Çmimi për vendin e tretë në këtë kategori, iu nda Dafina Halilit nga Kosovo 2.0, e cila eksploroi sfidat shoqërore dhe boshllëqet e politikave rreth gjidhënies.

“Çmimi për raportimin më të mirë nga sporti” shkoi për gazetaren Albiona Hoxhaj, nga “Betimi për Drejtësi”. Raportimi i gazetares Hoxhaj për huliganizmin sportiv në Kosovë zbuloi çështje sistematike në siguri dhe drejtësi. Raporti theksoi pasojat sociale dhe personale të dhunës nga tifozët, si dhe përfshirjen e fëmijëve.

Në kategorinë për raportimin më të mirë rreth antigjipsizmit, vendi i parë iu nda gazetares Qëndresa Bellagoshi nga “Klan Kosova”. Ajo ekspozoi përjashtimin e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë nga arsimi në Gjakovë, duke nxitur veprime institucionale. Vendi i dytë iu nda gazetareve Gentiana Ahmeti dhe Oriada Dajko të cilat hulumtuan barrierat e tregut të punës me të cilat përballen këto komunitete.

Çmimi për raportimin e përgjegjshëm gjinor për të drejtat pronësore të grave u fitua nga gazetaret Merita Miftari nga Gazeta Express dhe Jetlira Ademi nga Katror.Info. Ato raportuan për të drejtat pronësore të grave, duke theksuar sfidat e mëdha dhe sukseset e pakta.

Çmimi për raportimin mbi ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, u fitua nga gazetarja e “Radio Evropa e Lirë”, Doruntina Baliu. Artikulli i Baliut shqyrton krizën e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë dhe në Ballkan, duke theksuar çështje të tilla si deponitë e tejmbushura dhe deponitë ilegale.

Çmimi për raportimin më të mirë mbi ndërtimin e besimit u fitua nga gazetarja Arbrita Uka. Raporti i Ukës tregon historinë e një ekipi multietnik të futbollit të grave në Kosovë, i përbërë nga lojtarë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.