Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka publikuar raportin “Pozita dhe siguria e grave gazetare në Kosovë”, i cili shqyrton pozitën dhe sigurinë e grave duke hulumtuar sfidat sistematike me të cilat përballen gratë që punojnë në media.
Sipas këtij raporti, ani pse 65% e gazetarëve të anëtarësuar në kuadër të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës janë gra, ato vazhdojnë të përballen me sfida dhe barriera të konsiderueshme gjatë punës së tyre në organizata mediale. Këto sfida përfshijnë paragjykimin me bazë gjinore në proceset e avancimit në karrierë, mungesën e mentorimit, margjinalizimin në proceset editoriale, detyrat e ndara sipas gjinisë, ngacmimin seksual në vendin e punës dhe vështirësi në balancimin e jetës profesionale e personale.
Paragjykimi me bazë gjinore mbetet një nga sfidat kryesore me të cilat përballen gratë gazetare, veçanërisht kur bëhet fjalë për avancimin në karrierë.
47.7% e grave gazetare mendojnë se në median ku punojnë nuk kanë mundësi të barabarta për avancim në karrierë në krahasim me kolegët burra. “Derisa disa të anketuar pranuan se organizatat e tyre ofrojnë mundësi të barabarta, ndjenja e përgjithshme reflekton se shumë vende pune ende favorizojnë gazetarët burra për role drejtuese ose të profilit të lartë”, thuhet në raport.
Shumë organizata mediatike ende i përmbahen normave tradicionale shoqërore që lidhin autoritetin dhe udhëheqjen me burrat, duke përjashtuar gratë nga rolet vendimmarrëse.
Një sfidë e rëndësishme e theksuar nga gratë gazetare ishte mungesa e mentorimit gjatë punës së tyre, derisa kolegët burra shpesh përfitojnë nga rrjetet joformale të mentorimit që hapin dyert për avancimin në karrierë, gratë gazetare shpesh mbeten pa mbështetje të ngjashme. “Ato treguan se gazetarët burra përfshiheshin rregullisht në marrëdhëniet joformale të mentorimit me figura të larta si redaktorët dhe menaxherët’, thuhet në raport.
Sfidë tjetër është paraqitur edhe stereotipizimi gjinor në ndarjen e punëve nëpër redaksi. Sipas analizës, “gratë gazetare janë ngarkuar në mënyrë joproporcionale të mbulojnë tema të etiketuara tradicionalisht si lajme ‘të buta’, të tilla si stili i jetesës, edukimi, argëtimi dhe storjet personale. Ndërkohë, burrat shpesh caktohen për të mbuluar lajme ‘të vështira’, duke përfshirë politikën, ekonominë dhe gazetarinë investigative.”
Tutje, çështja e ngacmimit seksual në vendin e punës është i shpeshtë edhe në hapësirat mediatike. “Pjesëmarrëset ndanë storje ngacmimesh verbale, komente të papërshtatshme dhe, në disa raste, sjellje të hapura armiqësore, shpesh të ardhura nga kolegë ose mbikëqyrës burrë. Përvojat varionin nga komentet e rastësishme nënçmuese deri në raste më të hapura të diskriminimit, ku gratë ndiheshin të pasigurta”.
Po ashtu, balancimi i përgjegjësive profesionale dhe personale mbetet një sfidë e madhe por shpesh e anashkaluar për gratë gazetare. Shumë redaksi funksionojnë nën politika të ngurta që nuk arrijnë të kenë parasysh përgjegjësitë e kujdesit dhe shëndetit që rëndojnë jo proporcionalisht mbi gratë. “Faktorë të tillë si orari jo fleksibël i punës, udhëtimet e shpeshta dhe ndërrimet e paparashikueshme krijojnë një mjedis pune që nuk merr parasysh barrën e dyfishtë të karrierës dhe
jetës familjare.” Ky çekuilibër shpesh i vë gratë në një pozitë ku duhet të bëjnë zgjedhje të vështira, shpesh duke sakrifikuar karrierën për të përmbushur detyrat e kujdesit ose për të menaxhuar nevojat e tyre shëndetësore.
“Gratë gazetare në Kosovë përballen me shqetësime të rëndësishme për sigurinë, duke përfshirë kërcënimet fizike dhe dëmtimet psikologjike. Gjatë raportimit në terren, ato shpesh përballen me dhunë, ngacmim dhe frikësim, ndërsa në hapësirën digjitale janë të ekspozuara ndaj ngacmimeve kibernetike dhe gjuhës së urrejtjes.”
Sipas gazetareve edhe tek rastet kur ngacmimet a kërcënimet i denoncojnë formalisht, ato shpesh përballen me veprime të ngadalta dhe joefektive nga organet e rendit dhe institucionet e tjera.
Mungesa e politikave të qarta dhe të zbatueshme për të trajtuar diskriminimin gjinor paraqet një sfidë të madhe. “Shumë të anketuar treguan se organizatave të tyre ose u mungojnë politika të tilla ose nuk i kanë komunikuar ato në mënyrë efektive. Organizatat me politika ekzistuese shpesh dështojnë t’i zbatojnë ato në mënyrë të vazhdueshme, duke i lënë punonjësit të pasigurt për atë se si të raportojnë çështjet ose të kërkojnë mbështetje.”
Mungesa e masave të përshtatura të sigurisë për gratë gazetare, veçanërisht ato që punojnë në mjedise me rrezikshmëri të lartë, përbën një çështje tjetër të rëndësishme. “Të anketuarit theksuan mungesën e mbështetjes organizative në adresimin e kërcënimeve ose ngacmimeve, si në terren ashtu edhe brenda vendit të punës.”
18.9% e grave gazetare nuk ndihen të mbështetura nga organizata e tyre kur përballen me rreziqe të sigurisë.
Gratë gazetare shpesh përballen me rreziqe unike, si kërcënime fizike, ngacmime seksuale ose shënjestrim gjatë protestave ose në zona konflikti. Pa protokolle formale sigurie, gazetaret lihen të përballë me rreziqe të tilla, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor dhe gatishmërinë për të marrë përsipër detyra sfiduese.
Organizatat mediale duhet të kenë prioritet zhvillimin e politikave të sigurisë me ndjeshmëri gjinore, duke përfshirë vlerësimin e rrezikut, trajnimin për raportimin në mjedise armiqësore dhe qasje në mbështetje të menjëhershme gjatë krizave.
Ngacmimi në vendin e punës, në veçanti, është një nga çështjet më shqetësuese. Ngacmimet verbale dhe fizike, të kryera shpesh nga kolegët ose mbikëqyrësit burra, ka bërë që shumë gra të ndihen të pasigurta, të pambështetura dhe të margjinalizuara në mjedisin e tyre të punës. Kjo mungesë mbështetjeje, e shoqëruar me frikën e hakmarrjes, ka kontribuar në një kulturë të përhapur të heshtjes, ku shumë gra përmbahen nga raportimi i ngacmimeve për shkak të shqetësimeve për pasojat profesionale.
Raportin e plotë e gjeni këtu.