Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë janë të nënpërfaqësuara në fushatën zgjedhore

QIKA 20.1.2025

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ka filluar zyrtarisht. Megjithatë, edhe kësaj here vërehet një hendek i thellë gjinor në përfaqësimin politik. Sipas të dhënave nga Koalicioni ‘Demokracia në Veprim’, i cili monitoruar 160 aktivitete të subjekteve politike, në të gjitha komunat e Kosovës, pjesëmarrja e grave mbetet shumë e ultë, ku në rreth 60% të aktiviteteve është raportuar për pjesëmarrje minimale të grave – vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve.

Pjesëmarrja aktive e grave në garën zgjedhore është gjithashtu e kufizuar. Vetëm 1/3 e fjalimeve të mbajtura gjatë fushatës, përkatësisht 70 nga 230 fjalime, janë mbajtur nga gratë. Ky çekuilibër dëshmon mungesën e mundësisë që kandidatet të formojnë agjenda politike e zgjedhore në kuadër të partive politike ku përkasin.

Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 258 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 14% prej tyre ka pasur gra. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 12 minuta apo 9% e hapësirës televizive u është dhënë grave.

Këto të dhëna dëshmojnë pabarazitë gjinore e sociale në proceset zgjedhore në Kosovë, duke nënvizuar nevojën për masa konkrete dhe gjithëpërfshirëse që synojnë fuqizimin e grave në jetën publike dhe politike.

Detaje të tjera nga monitorimi i gjeni këtu.