Hulumtimi i publikuar të mërkurën nga Forumi Ekonomik Botëror dhe Instituti Shëndetësor McKinsey (MHI) në Davos zbuloi se gratë kalojnë mesatarisht 25% të kohës më shumë se sa burrat në shëndet të dobët.
Duke cituar studime të ndryshme nga Danimarka, raporti dëshmon se gratë diagnostikohen më të vonë se burrat për disa sëmundje – deri në 2.5 vjet më vonë për kancerin, ndërsa për sëmundjet metabolike, si diabeti, rreth 4.5 vjet më vonë.
Çdo 1 dollarë i investuar për të përmirësuar shëndetin e grave mund të gjenerojë 3 dollarë për ekonominë globale pasi që përmirësohet cilësia e jetës dhe gratë janë në gjendje të marrin pjesë aktive në fuqinë punëtore. Kjo sipas matjeve shton rreth shtatë ditë të shëndetshme shtesë në vit për çdo grua, ose më shumë se 500 ditë gjatë gjithë jetës.
Hulumtimi zbuloi se shëndeti i grave shpesh thjeshtohet vetëm në shëndetin seksual dhe riprodhues, duke nënpërfaqësuar shqetësimet tjera të shëndetit të grave. Ai gjithashtu tregoi se të dhënat për shëndetin e grave shpesh mungonin ose ishin të pasakta, dhe financimi për kërkime specifike ishte i mangët.
“Shumë njerëz mendojnë se meqë gratë jetojnë më gjatë, ato janë më të shëndetshme dhe kjo nuk është e vërtetë. Mesatarisht, gratë kalojnë nëntë vjet të jetës së tyre me shëndet të dobët, dhe shumica e tyre janë në moshë pune. Shumë nga shkaqet kryesore janë të adresueshme”, tha Dr. Lucy Pérez, bashkautore e raportit dhe partnere e vjetër në MHI.
Publikimi i raportit përkoi me fillimin e Aleancës Globale për Shëndetin e Grave, një platformë globale ndërsektoriale që ka për qëllim përmirësimin e investimeve në shëndetin e grave. Rreth 42 organizata kanë premtuar 55 milion dollarë në mbështetje të aleancës.