Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë keniane në Arabinë Saudite punojnë në kushte skllavërie

QIKA 14.5.2025

Gratë keniane të punësuara si punëtore shtëpiake në Arabinë Saudite përballen me kushte pune abuzive dhe diskriminuese, përjetojnë shfrytëzim ekstrem në shtëpi private, punë të detyruar dhe trafikim njerëzor, ndërsa vazhdojnë të përjashtohen nga ligji i punës i Arabisë Saudite dhe nga reformat e miratuara, sipas një raporti të publikuar dje nga Amnesty International.

Raporti “Të mbyllura brenda, të përjashtuara jashtë: Jetët e fshehura të punëtoreve shtëpiake keniane në Arabinë Saudite” dokumenton përvojat e më shumë se 70 grave që kanë punuar më parë në këtë shtet.

Shumë prej tyre u mashtruan nga agjencitë e rekrutimit në Kenia në lidhje me natyrën e punës. Pasi mbërritën në Arabinë Saudite, u detyruan të punojnë në kushte çnjerëzore, shpesh mbi 16 orë në ditë, pa asnjë ditë pushimi dhe pa të drejtë për të dalë nga shtëpia ku punonin.

Kushtet e jetesës dhe të punës ishin të tmerrshme, duke përfshirë sulme seksuale, verbale dhe fizike.

Punëdhënësit zakonisht ua konfiskonin pasaportat dhe telefonat, dhe shpesh ua vononin ose nuk ua jepnin pagat.

“Këto gra udhëtuan drejt Arabisë Saudite për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjet e tyre, por në vend të kësaj përjetuan abuzim të papërshkrueshëm në shtëpitë e punëdhënësve të tyre,” tha Irungu Houghton, drejtor ekzekutiv i Amnesty International Kenya, teksa shtoi se  qeveria keniane inkurajon në mënyrë aktive migrimin për punë.

Puna ekstreme ishte problemi i përbashkët për të gjitha gratë e intervistuara nga Amnesty International. Një ditë pune për to përfshinte së paku 16 orë pune në pastrim, gatim dhe kujdes për fëmijët. Ato paguheshin mesatarisht 900 rialë sauditë (rreth 240 dollarë amerikanë) në muaj, pa pagesë për orë shtesë, çka e zbret pagën efektive në rreth 0.5 dollarë për orë.

Disa punëdhënës ua vononin pagat ose nuk i paguanin fare. Gati të gjitha gratë raportuan se nuk kishin marrë asnjë ditë pushimi gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite, i cili në disa raste zgjaste deri në dy vjet.

Gratë përballeshin me kufizime të rënda në lirinë dhe privatësinë e tyre, marrja e telefonave i izolonte plotësisht dhe ua ndalonte kontaktin me familjet. Pavarësisht ngarkesës së tepërt, shumica thanë se u privuan nga ushqimi ose u ushqyen me mbetjet ushqimore, duke i detyruar disa të mbijetonin me bukë ose makarona të thata.

Shumica raportuan se flinin në kushte të papërshtatshme – në dollap, në dyshemenë e dhomës së fëmijëve, pa krevat, pa çarçafë dhe pa ajër të kondicionuar.

Shumë prej tyre u përballën me fyerje, poshtërim dhe dhunë seksuale. Disa gra u përdhunuan nga punëdhënësit e tyre meshkuj, përfshirë edhe Judy*, një nënë beqare me dy fëmijë që kishte shkuar në Arabinë Saudite për t’i shpëtuar burrit abuziv.

“Ai më përdhunoi dhe më kërcënoi të mos i tregoja gruas së tij. Heshta. Ishte rutina e tij e përditshme… U përpoqa t’i them të ndalonte, por burrat janë shumë të fortë. Në fund, më përdhunoi pesë herë…”

Shumica kishin frikë të raportonin abuzimin tek autoritetet saudite apo ambasada e Kenisë. Ato që guxuan të flasin, u përballën me hakmarrje apo akuza të sajuara, si akuzat e rreme për vjedhje, dhe humbën pagat.

Raporti thekson gjithashtu se racizmi sistemik i përforcuar nga sistemi i sponsorizimit Kafala, bashkë me qëndrimet diskriminuese të trashëguara nga skllavëria dhe kolonializmi britanik në rajon, i ka bërë këto gra veçanërisht të cenueshme. Statusi i tyre si migrante dhe gra i ka ekspozuar ndaj dhunës së shumëfishtë.

Shumë prej grave treguan se u janë drejtuar me terma përçmues dhe racistë si “hayawana” (kafshë), “khaddama” (shërbëtore) dhe “sharmouta” (prostitutë). Punëdhënësit komentuan me përçmim për ngjyrën e lëkurës së tyre, për erën e trupit dhe ua ndaluan përdorimin e enëve të familjes – një praktikë që gratë e përshkruanin si “ndarje”, për shkak se vinin nga Afrika.

*emrat në tekst dhe raport janë ndryshuar me qëllim të ruajtjes së privatësisë.

Raporti e plotë e gjeni këtu.