Profesionistet gra të Kinës po kundërshtojnë moshën e ulët të pensionit përderisa Pekini ndeshet me balancimin e nevojave të një fuqie punëtore të moshuar dhe papunësisë së të rinjve.
Të dhënat e gjykatës zbulojnë se gratë kineze kanë paditur punëdhënësit e tyre më shumë se 1000 herë që nga viti 2019. Këto padi janë bërë sepse punëdhënësit e tyre i kanë detyruar ato të lënë punën në moshën 50 vjeçare.
Rritja e mosmarrëveshjeve për kohën e daljes në pension nxjerr në pah problemin demografik të Kinës: popullsia e vendit po plaket dhe niveli i lindjeve po bie, duke krijuar një sfide të madhe ekonomike. “Është e vërtetë që rregullat tona të pensionit kanë çuar në humbje të kapitalit njerëzor dhe presion mbi sistemin e pensioneve”, tha një këshilltar i qeverisë. Kina vendosi sistemin e saj të daljes në pension në fillim të viteve 1950. Ky vendim, për gratë e bëri moshën e detyrueshme për të lënë forcën e punës 50, ndërsa për burrat 60.
Vendimi, thanë analistët, ishte i duhuri asokohe për një vend në të cilin qytetarët rrallë jetonin mbi moshën 50 vjeç dhe gratë kishin mesatarisht gjashtë fëmijë. “Ne i kemi bërë gratë të dalin në pension më herët në mënyrë që të mund të kalojnë më shumë kohë duke u kujdesur për familjen,” tha Yuan Xin, këshilltar i qeverisë. Që atëherë, jetëgjatësia për gratë kineze është rritur në pothuajse 80 vjet dhe lindjet kanë rënë, raporton Financial Times.
Këta faktorë të kombinuar me arsimimin e përmirësuar dhe rritjen e të ardhurave, kanë nxitur më shumë gra të përqendrohen në karrierën e tyre dhe të krijojnë kursime pensioni. Në provincën lindore të Jiangsu, Wang Yun, 51 vjeçare, këtë vit humbi një proces gjyqësor kundër punëdhënësit të saj, një shitës në dyqanin e të cilit ajo shërbeu si menaxhere marketingu. “Unë kam kaluar gati një dekadë duke administruar njerëz dhe kam forcën dhe gatishmërinë për të mbajtur punën time”, tha Wang. “Më vjen keq që gjykata nuk donte të më dëgjonte”, shtoi ajo.
You Jun, zëvendësministre e burimeve njerëzore dhe sigurimeve shoqërore, tha se Kina në shkurt do të zgjasë moshën e pensionimit në “mënyrë graduale”. Këshilltarët qeveritarë thanë se reformat mund të fillojnë vitin e ardhshëm kur mosha zyrtare e daljes në pension si për burrat ashtu edhe për gratë do të rritet për disa muaj.