Migrimi, ndonëse shpesh shihet si mundësi për një jetë më të mirë, për shumë gra shoqërohet me rreziqe serioze të dhunës dhe shfrytëzimit. UN Women në një reagim thekson se gratë migrante përballen me dhunë me bazë gjinore, shfrytëzim në punë, trafikim dhe diskriminim në të gjitha fazat e migrimit, që nga largimi nga vendlindja, gjatë udhëtimit dhe deri në vendet ku ato migrojnë.
Sipas UN Women, rreziku shpesh nis që para largimit, kur gratë mbështeten nga rekrutues që nuk janë të licencuar, nuk mbikëqyren nga shteti dhe nuk i nënshtrohen rregullave ligjore, të cilët kërkojnë pagesa të larta ose japin premtime të rreme për punë jashtë vendit. Kjo i ekspozon ato ndaj borxheve, varësisë dhe situatave shfrytëzuese. Gjatë udhëtimit, veçanërisht në rrugë migrimi që nuk janë zyrtare, ligjore ose të sigurta, gratë mund të përballen me ngacmime, dhunë fizike dhe seksuale apo shantazh.
Një pjesë e madhe e grave migrante punojnë në sektorë të parregulluar si puna shtëpiake dhe kujdesi, ku rreziku nga shfrytëzimi dhe abuzimi është i lartë. Edhe pasi arrijnë në vendet pritëse, shumë prej tyre përballen me vështirësi për të raportuar dhunën, për shkak të frikës nga deportimi, mungesës së informacionit dhe diskriminimit. Gratë që kthehen në vendlindje pas përvojave të dhunës shpesh përballen me stigmë dhe mungesë mbështetjeje.
UN Women thekson nevojën për migrim më të sigurt për gratë, përmes informimit të besueshëm, rekrutimit të drejtë, mbrojtjes së të drejtave të punës dhe qasjes në shërbime mbështetëse, duke nënvizuar se dhuna dhe shfrytëzimi ndaj grave migrante mbeten çështje serioze të të drejtave të njeriut.