Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Britani nuk po marrin mbështetjen e duhur pas abortit nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar

QIKA 4.8.2021

Shumë gra nuk marrin mbështetje për ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) pas abortit spontan. Kështu, aktivistët britanik i kanë bërë thirrje qeverisë që të rishikojë shërbimet mjekësore në mënyrë që ti trajtojë si duhet rastet e atyre që janë përballur me abortin.

Sipas organizatës së bamirësisë Tommy, një në katër gra shtatzëna përfundon me abort duke shtuar se ka mungesë të të dhënave nga ana e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar. Kjo organizatë po i kërkon qeverisë të investojë në parandalimin dhe trajtimin e abortit spontan si dhe të ofrojë mbështetje sa i përket shëndetit mendor. Në bazë të një hulumtimi vlerësohet se abortet i kushtojnë shërbimit mjekësor £430 milion në vit.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se 20% e grave që janë përballur me abort kanë të ngjarë të përjetojnë çrregullimin klinik të stresit post-traumatik, ndërsa 16-18% prej tyre mund të vuajnë nga ankthi dhe depresioni, me ç’rast edhe rreziku i vetëvrasjes është katërfishuar, raporton The Guardian.

Siobhan Quenby, hulumtuese dhe profesore ne Universitetin e Warwick, pohoi se duhet të ndryshojë mendësia shoqërore në mënyrë që njerëzit të cilët përballen me abortin të sigurojnë mbështetjen e duhur. Ndërsa, Ruth Bender Atik, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Aborteve, tha se punëdhënësit duhet të trajnohen në mënyra të ndryshme sa i përket çështjes së abortit.