Profesionistët shëndetësorë në Britani kanë shprehur shqetësimin se gratë që kanë kaluar aborte po shtyhen nga policia që të testohen përmes lëngjeve trupore për përdorim të jashtëligjshëm të barnave që shkaktojnë abort përderisa janë në spital pa përfaqësim ligjor dhe pa pëlqimin e tyre.
Ata kanë argumentuar se kjo praktikë shton stigmën me të cilën gratë përballen në mënyrë rutinore pas aborteve.
Të dhënat e fundit të Home Office për Anglinë dhe Uellsin tregojnë se abortet e regjistruara si krime janë rritur viteve të fundit – nga 27 në periudhën prill 2021 – mars 2022, në 35 në periudhën prill 2022 – mars 2023. Ato përfshijnë krime të regjistruara për tre akuza të ndryshme: abort të paligjshëm, shkatërrimi i qëllimshëm i një fëmije të palindur dhe fshehja e një vdekjeje foshnjore para lindjes. Përderisa dy akuzat e para dënohen me burgim të përjetshëm, ky i fundit dënohet me tre vjet burg.
Dr Jonathan Lord, gjinekolog konsulent në Royal Cornwall Hospitals NHS Trust, vlerësoi se ishte “thellësisht e keqe” nga ana e policisë të testonte gratë për ilaçe të abortit dhe ngriti shqetësime se “sa e shpeshtë duket të jetë”.
Kryetarja e Komitetit të Etikës Mjekësore të Shoqatës Britanike të Mjekësisë, Dr Jan Wise, tha se gratë duhet të kenë qasje në kujdes dhe mbështetje pa u përballur me kërcënimin për hetim penal. “Theksojmë se mjekët nuk kanë asnjë detyrim ligjor të denoncojnë në polici ata paciente që mund t’i nënshtrohen ndërprerjes së shtatzënisë”, shtoi ajo.
Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë nuk ka pranuar të komentonte rreth kësaj çështjeje.