Përderisa Izraeli vazhdon bombardimet ndaj Gazës, gratë palestineze po përballen me vështirësi të shumta nëpër tendat ku janë zhvendosur, ku nuk kanë kurrfarë privatësie dhe rastet e dhunës në familje janë rritur shumë.
Gratë e zhvendosura nga shtëpitë e tyre detyrohen të vishen dhe jetojnë në tendat e mbushura me anëtarë të familjes së gjerë, përfshirë edhe burra, dhe me të huaj vetëm disa hapa larg në tendat ngjitur.
Ala Hamami për Al Jazeera ka treguar se ajo detyrohet që gjatë gjithë kohës të mbajë shaminë, të cilën normalisht e mbante vetëm kur lutej. “E gjithë jeta jonë po bëhen në rroba të namazit”, tha ajo teksa shpjegoi se këtë veshje e mban gjatë gjithë kohës, madje edhe kur fle – në rast se natën goditen nga ndonjë sulm izraelit dhe asaj i duhet të dalë shpejt. Krejt kjo për shkak se ajo vazhdimisht është e rrethuar me burra të huaj. “Dinjiteti është zhdukur”, shton ajo.
Qasja në tualete dhe produkte higjienike është gjithashtu e kufizuar, dhe shumë gra tani presin çarçafë ose rroba të vjetra për t’i përdorur si peceta menstruale. Shumë gra kanë deklaruar se u duhet të zgjedhin mes blerjes së pecetave dhe blerjes së ushqimit e ujit.
Sipas Kombeve të Bashkuara më shume se 690 mijë gra dhe vajza në Gaza kanë nevojë për produkte menstruale, qasje në tualete dhe ujë të pastër.
Krahas kësaj, gratë në Gaza po përballen me rritje enorme të dhunës në familje. Ekspertët kanë frikë se gratë dhe fëmijët nuk do të mund shërohen kurrë, shkruan Al Jazeera.
Samar Ahmed, 37 vjeçare, e cila jeton në një tendë të improvizuar në zonën al-Mawasi, është gjithashtu viktimë e dhunës në familje dhe nuk ka se si të largohet nga bashkëshorti abuziv i cili prej fillimit të luftës brutale tash e 14 muaj, ka ushtruar dhunë ndaj saj në prani të fëmijëve.
Teksa mundohet që 5 fëmijët e saj ti shpërqendroj nga kjo situatë, ajo vlerëson se mungesa e privatësisë po shkakton një shkallë të re të presionit në familjen e tyre. “Kam humbur privatësinë time si grua dhe nënë në këtë vend. Nuk dua të them se jeta ime para luftës ka qenë perfekte, por së paku kam mundur të dialogoj me burrin tim. Tani çdo diskutim dëgjohet në tendat e tjera”, tha ajo.
Samar përpiqet të parandalojë zemërimin e burrit të saj duke u përpjekur të zgjidhë vetë problemet me të cilat përballet familja. Ajo viziton punonjës e ndihmës çdo ditë për të kërkuar ushqim. “Çdo ditë vuaj nga ankthi për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshortin tim”, shtoi ajo, derisa shpjegonte se dy ditë më parë kur ai e kishte goditur në fytyrë para fëmijëve të saj, të gjithë fqinjët kishin shkuar ta qetësonin. “Ndihem e thyer”, tha Samar, e shqetësuar se do të mendojnë se ajo është fajtore – që burri i saj bërtet dhe shan aq shumë.
Samar ndjek seancat e mbështetjes psikologjike bashkë me gra të tjera. Atë e ndihmon të dëgjojë se nuk është vetëm. “Dëgjoj historitë e shumë grave dhe përmes përvojave të tyre përpiqem të ngushëlloj veten për atë që po kaloj.”
Bashkëshorti i Samar-it, Karim Badwan, 42 vjeç, shprehet se ka turp të madh për dhunën që ka ushtruar ndaj gruas së tij, dhe si shumë burra të tjerë të shpërngulur thotë se intensiteti i dhunës, të cilën sipas tij nuk e ka ushtruar kurrë para se të zhvendoseshin, është pasojë e presionit të luftës.
Kholoud Abu Hajir, psikologe e cila ka takuar shumë viktima të dhunës që nga fillimi i luftës nëpër klinikat e kampeve të zhvendosjes, beson se ka shumë më shumë viktima që kanë turp të flasin.
Lufta ka shkaktuar dëme të tmerrshme veçanërisht për gratë dhe fëmijët, thotë Abu Hajir. Jetesa në një gjendje të vazhdueshme paqëndrueshmërie e pasigurie, zhvendosjet e përsëritura dhe detyrimi për të jetuar në tenda të mbushura me njerëz, i kanë privuar gratë nga privatësia, duke i lënë ato pa një vend ku të kthehen.
“Nuk ka një sistem të plotë të trajtimit psikologjik. Ne punojmë vetëm në situata emergjente. Rastet me të cilat trajtojmë vërtet kërkojnë seanca të shumta, dhe disa prej tyre janë raste të vështira ku gratë kanë nevojë për mbrojtje.” thotë Abu Hajir. “Ka raste shumë të rënda të dhunës që kanë arritur deri te sulmi seksual.”
Lufta e Izraelit në Gaza ka dëbuar më shumë se 90% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh nga shtëpitë e tyre. Qindra mijëra njerëz jetojnë tani në kampe tendash të mbushura afër njëra-tjetrës në zona të mëdha – ku ujërat e zeza derdhen në rrugë dhe ushqimi e uji vështirë sigurohen.