Gratë në Kinë po përballen në mënyrë rutinore me diskriminim shumë të madh ndaj shtatzënisë, e gjitha kjo po ndodhë si rezultat i politikës së vendit që lejon vetëm dy fëmijë në familje, politikë kjo e prezantuar që nga viti 2016.
Ndërsa në fillim të kësaj jave, Kina njoftoi se do t’u lejojë prindërve të kenë deri në tre fëmijë, për shkak se norma e lindjeve ishte në rënie.
Një studim i bërë nga Human Rights Watch, zbuloi se që kur është prezantuar politika për dy fëmijë gratë po ndëshkohen për shkak se kanë mundësi për pushim të lehonisë dy herë.
Studiuesit paralajmëruan se shumë firma diskriminojnë gratë përmes reklamave të punës, intervistave dhe sjelljes në vetë vendin e punës, duke thënë se disa kompani i bëjnë kushtet e punës për gratë shtatzëna aq të ashpra sa të shtyhen të tërhiqen, raporton The Independent.
Raporti citoi shembullin e një punëtore e cila ishte shtatzënë në një firmë në verilindje të provincës Jilin, e cila ishte shtatë muaj e gjysmë shtatzënë dhe u detyrua të punonte në ndërtimtari në kohën e dimrit.
Studiuesit thanë se shumë gra raportuan që sa herë shkonin në intervista për vende pune, merreshin në pyetje nëse kishin fëmijë apo kishin ndonjë plan për martesë. Një e sapo diplomuar nga kolegji tregoi se nga pesë kompanitë që u intervistua, tri prej tyre e informuan atë se nuk do t’i ofronin asaj punë nëse dëshironte të kishte fëmijë.
Ndërsa një gruaje, që ishte nënë e një fëmije, iu kërkua që të nënshkruante një kontratë në të cilën ajo duhej të pajtohet që të mos ketë një fëmijë të dytë për të paktën tre vjet si kusht për t’iu dhënë vendi i punës.
Zhvillimi i politikës së re, konsiderohet se do e vështirësoj edhe më shumë situatën, tha grupi i Human Rights Watch.
Sophie Richardson, drejtore në Human Rights Watch, tha për The Independent: “Kalimi i Pekinit në politikën me tre fëmijë nuk do të lehtësojë diskriminimin në lidhje me shtatzëninë dhe mund ta përkeqësojë atë edhe më shumë”.