Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë nga Grinlanda kërkojnë dëmshpërblim nga shteti pasi që ishin pajisur me spirale pa pëlqimin e tyre

QIKA 10.10.2023

Dhjetëra gra nga Grinlanda, të cilat janë pajisur me spirale kontraceptive pa pëlqimin ose dijeninë e tyre, po planifikojnë të padisin shtetin danez.

Grupi i formuar për të shtyrë padinë përpara është i përbërë prej 67 grave të cilat thonë se mjekët danezë në një përpjekje për të reduktuar popullsinë e Grenlandës u vunë atyre spirale pa pëlqimin e tyre. Këto 67 gra janë ndër 4500 gratë e prekura midis viteve 1966 dhe 1970.

Ato kanë kërkuar kompensim prej 300,000 korona daneze (40,000 euro) nga qeveria për këtë veprim që sipas tyre është një shkelje që ka shkaktuar pasoja të mëdha në jetën e tyre. Nëse qeveria nuk e zbaton kompensimin, ato planifikojnë ta çojnë çështjen në gjykatë.

Naja Lyberth, gruaja e parë që gjashtë vjet më parë foli publikisht për të thënë se i ishte vendosur një spirale gjatë një ekzaminimi mjekësor në shkollë si adoleshente e re pa pëlqimin e saj, akuzoi shtetin për sterilizim të planifikuar. “Avokatët tanë janë shumë të sigurt se të drejtat tona njerëzore janë shkelur”, tha psikologja dhe aktivistja e grave. Edhe pse pas kësaj ajo ishte në gjendje të lindte fëmijë, shumë viktima të tjera nuk e patën fatin e njëjtë”, tha ajo

Pavarësisht se Lyberth ndau publikisht historinë e saj, u deshën disa vite që skandali të tërhiqte vëmendjen publike në Danimarkë. Në fillim të këtij viti, shteti danez dhe qeveria e Grinlandës nisën një hetim për rastin e spirales dhe praktikat e tjera të parandalimit të shtatzënisë të kryera në Grinlandë midis viteve 1960 dhe 1991.

“Puna e mjekut është të sigurohet që ne jemi të shëndetshëm. Ata na sëmurën, duke shkaktuar dëme në mitrën tonë dhe aftësinë tonë për të pasur fëmijë”, shtoi Lyberth.

“Kjo është një çështje thellësisht tragjike dhe tregimet e grave më kanë lënë një përshtypje të thellë. Është e domosdoshme që ne ta hetojmë tërësisht këtë çështje, prandaj një ekip studiuesish aktualisht po kryen një hetim të pavarur dhe të paanshëm” tha Ministrja e Shëndetësisë e Danimarkës, Sophie Løhde.