Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, rrugët e Stambollit u mbushën me mijëra protestues, shumica prej tyre ishin gra. Policia turke i gjuajti me gaz lotsjellës dhe plumba gome protestuesit që po kundërshtonin dhunën ndaj grave dhe femicidin.
Turqia ishte vendi i parë që nënshkroi Konventën e Stambollit, por në korrik u tërhoq me qeverinë e Presidentit Erdogan, duke pretenduar se kjo nismë ishte e përbërë nga njerëz që përpiqeshin të normalizonin homoseksualitetin. Sipas platformës We Will Stop Femicide, në Turqi janë vrarë të paktën 285 gra nga burrat deri në nëntor të vitit 2021. Për shumë gra turke, pretendimet e qeverisë për t’i mbrojtur ato janë të vështira për tu besuar, sidomos pas tërheqjes së shtetit nga Konventa e Stambollit, raporton Al Jazeera.
Gokce, aktivistja e Rrjetit të Mbrojtjes së Grave, tha se gratë janë duke protestuar për të drejtat e tyre për të mbrojtur veten, për të kërkuar drejtësi për gratë e vrara dhe për të punuar tutje për të drejtat e grave lezbike. Sipas saj konventa ishte produkt i viteve të punës së aktivisteve për të drejtat e grave, edhe pse Turqia nuk i përmbushi kurrë detyrimet e përcaktuara në të, tërheqja nga ajo ishte një tronditje e madhe.
Gjatë protestës së djeshme, sloganet bënin thirrje për dorëheqjen e presidentit Erdogan dhe kërkonin rikthimin e konventës si dhe ndalimin e dhunës brutale ndaj grave. “Çdo ditë në shtëpitë tona, në rrugë, në vendet tona të punës, ne përjetojmë dhunë. Boll më”, u shpreh një grua gjatë protestës.