Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë zvicerane protestojnë për të drejta të barabarta

QIKA 15.6.2021

Këtë të hënë, mijëra gra morën pjesë në protesta në të gjithë Zvicrën duke kërkuar barazi gjinore. 

Mbi 40 protesta të ndryshme u zhvilluan në qytetet zvicerane duke përfshirë Gjenevën, Bazelin, Cyrihun, Luzernin, Lozanën, Fribourg-un dhe Neuchatel. Gratë po protestonin për të drejtë të barabartë në pagë, mbrojtje nga dhuna dhe ngacmimet seksuale.

Sipas protestuesëve kërkesat për barazi janë ende të njëjta, edhe pas pesëdhjetë viteve që kur u miratua e drejta e votës për gratë zvicerane, dyzet vite pasi parimi i barazisë u përfshi në Kushtetutë, si dhe tridhjetë vjet pas grevës së parë të grave.

Federata e Sindikatës kritikoi mungesën e progresit mbi pagën e barabartë, pensionet dhe kushtet e punës midis grave dhe burrave zviceranë. Të dhënat e statistikave zyrtare në vitin 2016, tregojnë se paga mesatare mujore në Zvicër ishte 6,011 CHF (6,051 $) për gratë, 12% më e vogël se paga mesatare për burra 6,830 CHF. Ndryshimi ishte edhe më i madh në sektorin privat, me ç’rast gratë fitonin 14.6% më pak se burrat.

Megjithatë, Forumi Ekonomik Botëror po konsideron se ka përmirësim sa i përket barazisë gjinore në Zvicër. Në mars të këtij viti Zvicra është ngritur për tetë vende në edicionin e fundit të raportit Global të Gjinisë së Forumit Ekonomik Botëror.