Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Grave iraniane u kërkohen çertifikata për të vërtetuar se janë të virgjëra

QIKA 24.8.2022

Pavarësisht se OBSH ka deklaruar se testimi i virgjërisë është jo etik dhe nuk ka bazë shkencore, kjo praktikë ende zhvillohet në disa vende, duke përfshirë Indonezinë, Irakun, Turqinë, etj.

“Më mashtrove të martohesha me ty sepse nuk je e virgjër. Askush nuk do të martohej me ty nëse do ta dinte të vërtetën.” – kështu i tha burri i Merjemes pasi bënë seks për herë të parë.

Ajo u përpoq ta qetësonte duke i shpjeguar se edhe pse nuk kishte gjakderdhje pas penetrimit, ajo nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie më parë. Por ai nuk e besoi dhe i kërkoi të merrte një çertifikatë virgjërie. Kjo nuk është e pazakontë në Iran. Pas fejesës, shumë gra shkojnë te mjeku dhe bëjnë një test që vërteton se nuk kanë bërë kurrë seks.

Historia e Merjemes është realiteti i shumë grave në Iran. Të qenit e virgjër para martesës është ende vendimtare për shumë vajza. Është një vlerë që është e rrënjosur thellë në konservatorizmin kulturor.

Kohëve të fundit gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Gratë dhe burrat në mbarë vendin janë duke avokuar për t’i dhënë fund testimit të virgjërisë.

Nëntorin e kaluar, një peticion në internet mori pothuajse 25,000 nënshkrime brenda një muaji. Kjo ishte hera e parë që testimi i virgjërisë po sfidohej hapur nga kaq shumë njerëz në Iran.

Organizata Mjekësore Iraniane pohon se ata kryejnë testimin e virgjërisë në rrethana specifike – siç janë rastet gjyqësore dhe akuzat për përdhunim.