Autoritetet iraniane penguan dhjetëra gra iraniane të hynin në stadiumin e futbollit “Imam Reza” në qytetin e Mashhadit më 29 mars 2022. Human Rights Watch raportoi se ky pengim u bë duke përdorur forcë të tepruar.
Autoritetet i penguan gratë, edhe ato që kishin blerë biletat më herët, të hynin në stadiumin sportiv për të parë një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2022 midis Iranit dhe Libanit.
Videot e qarkulluara në mediat sociale tregojnë gra të mbledhura para stadiumit duke treguar se si autoritetet kanë përdorur sprej për t’i shpërndarë ato. “Autoritetet iraniane kanë treguar në mënyrë të përsëritur se janë të gatshme të bëjnë përpjekje të mëdha për të zbatuar ndalimin e tyre diskriminues dhe mizor për gratë që të frekuentojnë stadiumet e futbollit”, tha Tara Sepehri Far, studiuese iraniane në Human Rights Watch. “Duke pasur parasysh shkeljet e gjata të autoriteteve iraniane, FIFA duhet të ndjekë udhëzimet e veta globale për mosdiskriminim dhe duhet të marrë në konsideratë zbatimin e dënimeve për moszbatimin e tyre nga Irani”, shtoi ajo.
Më 30 mars, Federata iraniane e Futbollit lëshoi një deklaratë ku thuhet se për shkak të mungesës së përgatitjes, ata nuk ishin në gjendje të lejonin gratë në ndeshje. Në shtator 2019, një tifoze futbolli, Sahar Khodayari, u dënua me burg për tentativë për të hyrë në një stadium. Ajo vdiq nga vetë-djegja, duke shkaktuar protesta të brendshme e ndërkombëtare.
Në tetor 2019, pas afatit që FIFA i vendosi autoriteteve iraniane për të rënë dakord që gratë duhet të lejohen në stadiumet e futbollit, qeveria lejoi një numër të kufizuar grash të ndiqnin një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës në stadiumin Azadi. Por që atëherë, qeveria iraniane ka përdorur taktika të ndryshme për të kufizuar numrin e grave që ndjekin një ndeshje sportive në një stadium.
Sipas statutit të FIFA-s (neni 3 – të drejtat e njeriut dhe neni 4 – mosdiskriminimi), diskriminimi për shkak të gjinisë – që do të përfshinte përjashtimin ose ndërhyrjen në qasjen e grave dhe vajzave në stadiume – është rreptësisht i ndaluar dhe i dënueshëm me pezullim ose dëbim. “Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka premtuar personalisht se gratë iraniane do të jenë në gjendje të shkojnë në stadiume. Tani është koha që FIFA të demonstrojë se është serioze në zbatimin e masave transparente të llogaridhënies për të siguruar që gratë në Iran të mund të shikojnë lojëra si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë botën”, tha Sepehri Far.