Sot, disa nga anëtarët e grupit ndërparlamentar të Parlamentit Evropian të cilët punojnë për të drejtat e komunitetit LGBTI, i kanë dërguar letër Ministres së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiut.
Në këtë letër të cilën e ka siguruar QIKA, kërkohet që të përfshihen martesat mes personave të të njëjtit seks në Kodin Civil të Kosovës. Poashtu thuhet se Kosova ka punuar në zhvillimin e kodit të parë civil dhe kjo paraqet një mundësi të mirë për ti garantuar mbrojtje ligjore komunitetit LGBTI.
Qëndrimi i Parlamentit Evropian mbi Kosovën, i miratuar më 25 mars 2021, thekson posaçërisht që qeveria e vendit duhet të punojë për përfshirjen e martesave të personave të të njëjtit seks, gjë e cila nuk po vërehet në draftin përfundimtar për Kodin Civil, me ç’rast martesa ende ka mbetur në përkufizimin se definohet ligjërisht si bashkim mes bashkëshortëve të gjinive të ndryshme.
Në letër thuhet se është koha për të zhvilluar një kornizë ligjore e cila nuk është në përputhje vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por njëherit është progresive dhe gjithëpërfshirëse. Me këtë rast disa anëtarët e këtij grupi i adresuan disa pyetje Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut. Ndër to ishin:
A do ta rishikojë Qeveria e Kosovës nenin 1138(2) të draftit të Kodit Civil, i cili propozon se format tjera të bashkimeve civile rregullohen me një ligj specifik, si dhe a do të përfshihet martesat e personave të të njëjtit seks në Kodin Civil përfundimtar?
Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën a do të konsiderojë të heq gjuhën gjinore në Kodin Civil mbi martesën?
Në fund të letrës thuhet se grupi po pret një përgjigje nga Albulena Haxhiu në adresimin e kërkesave të parashtruara.