Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Guatemala dënon me 40 vite burg ish-paramilitarët për dhunim gjatë luftës civile

QIKA 26.6.2025

Gjykata e lartë në Guatemala ka dënuar me nga 40 vite burg secilin prej tre ish-paramilitarëve, pasi ata u shpallën fajtorë për përdhunimin e gjashtë grave të grupit etnik Achi, mes viteve 1981 dhe 1983, një nga periudhat më të përgjakshme të luftës civile në vend.

Dënimi dhe shqiptimi i vendimit përbëjnë një hap tjetër të rëndësishëm drejt drejtësisë për gratë e komunitetit Maya Achi, të cilat u abuzuan seksualisht nga grupet e armatosura pro-qeveritare, gjatë një periudhe lufte mes ushtrisë dhe rebelëve të krahut të majtë, që la deri në 200,000 të vrarë ose të zhdukur.

Anëtarët e ish-patrullave të mbrojtjes civile, Pedro Sanchez, Simeon Enriquez dhe Felix Tum, u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit për sulmet seksuale ndaj gjashtë anëtareve të komunitetit Maya Achi, tha gjykatësja Maria Eugenia Castellanos.

“Gratë i njohën autorët dhe njohën vendet ku ndodhën ngjarjet. Ato ishin viktima të krimeve kundër njerëzimit”, tha ajo.

Haydee Valey, avokatja e cila përfaqësoi gratë, e quajti dënimin “historik”, pasi më në fund u njoh zyrtarisht lufta e të mbijetuarve të luftës civile që për dekada kishin kërkuar drejtësi.

Këto dënime janë pala e dytë e çështjeve të grave Maya Achi kundër ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe paramilitarëve. Gjyqi i parë, i cili u mbajt në janar të vitit 2022, përfundoi me dënimin me nga 30 vite burg të pesë ish-paramilitarëve.

Grupi avokues Impunity Watch tha se ky rast nxjerr në pah se si ushtria e Guatemalës përdori dhunën seksuale si armë lufte kundër grave të grupeve etnike gjatë luftës civile.

Në vitin 2016, një gjykatë në Guatemalë dënoi me nga 360 vite burg dy ish-oficerë ushtarakë për mbajtjen e 15 grave nga komuniteti Q’eqchi si skllave seksi.