Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Kur dashninë ta kthejnë në terror

16 dhjetori i vitit 2012 shënon një sulm tragjik dhe njëkohësisht një pikë kthese në lëvizjen LGBTIQ+. Rasti i sulmit ndaj Libertas, filloi të trajtohet nga EULEX-i, por rasti asnjëherë nuk u zbardh. 10 vite më pas, tregimet e viktimave të sulmit na rrëfejnë mbi rëndësinë e njohjes së ndikimit që kjo ngjarje pati në jetët e tyre dhe lëvizjen në tërësi. 

Emrat në tekst janë ndryshuar për t’i mbrojtur identitetet e të intervistuarve.

Në një shoqëri konservatore e patriarkale, personat që nuk identifikohen si cisgjinor dhe heteroseksual, janë pre e presionit të madh për t’u përshtatur me kornizat e paracaktuara të shoqërisë. Ata/ato që nuk janë në përputhje me idetë e përgjithshme të shoqërisë përballen me ngacmime, kanosje e madje edhe me dhunë psikike e fizike.

Nga këndvështrimi institucional, të qenurit queer (lexo këtu: që tregon ose lidhet me një identitet seksual ose gjinor që nuk korrespondon me idetë tradicionale të seksualitetit dhe gjinisë, veçanërisht normave heteroseksuale) është një temë e paprekur e shpesh e injoruar, të cilën refuzojnë ta trajtojnë shumë institucione e persona me përgjegjësi politike. Kosova shënon 14 vite pavarësi, megjithatë, të drejtat e njeriut jo gjithmonë kanë marrë vëmendjen e merituar në agjendat shtetërore. Kështu duke vendosur personat nga komuniteti në një luftë të vazhdueshme; luftë për të dalë nga hija e margjinalizimit, luftë për jetesë të dinjitetshme dhe pa frikë. Pra luftë për mbijetesë.

Revista “SEX” ishte ndër iniciativat e para publike e ndërmarrë për të diskutuar hapur çështjet e gjinisë, seksualitetit dhe feminizmit. Eventi i organizuar me 14 dhjetor 2012, nga Kosovo 2.0, përfundoi në një sulm të organizuar homofobik me bazë urrejtje nga ekstremistët fetarë.

Për të festuar këtë publikim për një temë aq të ndjeshme, ishte paraparë që pas dy dite të mbahej një ndejë në një nga kafiteritë e Prishtinës. Megjithatë, pas sulmit në eventin e Kosovo 2.0, u dëshmua që personat LGBTIQ+ ishin të rrezikuar nga sulmet me bazë homofobike e transfobike. Kështu, ndeja e paraparë u zhvendos në zyrat e organizatës Libertas (organizatë që punonte për të drejtat LGBTQI+), duke konsideruar se aty anëtarët e komunitetit do të gjenin një hapësirë të sigurtë. Kjo nuk ndodhi. Organizata Libertas ishte shënjestra e radhës e dhunuesve. Mirëpo, as kësaj here institucionet nuk ishin aty për të ofruar siguri.

Takimi për të festuar u shndërrua në një takim makthi e tmerri. “Sot e asaj dite, unë nuk kaloj kah rruga ku u sulmuam, trupi im është ende në shok”, tregon B.Zh, personi që përjetoi sulmin e 16 dhjetorit (të vitit 2012) nga një grup ekstremist fetar të cilët thërrisnin “Allahu Akbar”.

Retrospektivë

“U patëm mbledhë diku rreth 30 persona për të festuar dashninë. Disa kemi qenë në dhomën e ndejës e disa të tjerë në kuzhinë duke përgatitur ushqim e pije. Krejt çka na mungonte ishte një hapëse e verës, të cilën Mira bashkë me një shok të saj vendosën të dilnin ta blinin në marketin afër”, tregon Rajmonda, një prej personave prezent në event.

Hapësja e verës u sigurua, e rrugës për tu kthyer në zyrë, dy personat u ndoqën nga tre prej sulmuesve të cilët hynë brenda hapësirave të zyrës, dy prej tyre në oborr e njëri brenda ndërtesës. Katër të tjerë ishin pozicionuar në rrugë, me qëllimin e sulmit ndaj personave të tjerë që po vinin në event. Duke parë se dritaret e Libertas-it ishin hapur, ata gjuajtën bombola me gaz lotsjellës. “Ka nisë me ardhë era, me na djegë sytë. Një zhurmë u dëgjua dhe një djalë erdhi lart në ndërtesë me na njoftu që po na sulmojnë”, rrëfen B. Zh.

Përderisa brenda ende ekzistonte një lloj rahatie dhe ende nuk ishte perceptuar rreziku që po afrohej, në oborr e në rrugën afër ndërtesës veçse kishte filluar sulmi fizik ndaj Mirës. Cak i këtij sulmi nuk ishin personat specifik. Në atë moment, gjithkush ishte i rrezikuar dhe kushdo që gjendej aty do kishte fatin e njëjtë si Mira.

“Doni hyri para meje dhe unë dëgjova dikë prej jashtë duke thënë se ‘qetu koka vendi’, andaj edhe konsiderova që ata ishin duke dashtë me na u bashkëngjitë në ndejë”, rrëfen Mira. Personat në fjalë kishin shkuar menjëherë pas Mirës dhe e kishin goditur në dy pjesë të kokës. Pas goditjeve, ajo kishte rënë në tokë. Në atë moment, Mira dëgjoi thirrjet nga Arbeni, i cili iu drejtua sulmuesve duke iu bërtitur “hej, hej, ku jeni tu shku?”.

Sulmuesit u nisën drejt meje duke më thënë që ‘ha, edhe ti je p*der a?” – vazhdon rrëfimin Arbeni, i cili ishte duke ardhur në Libertas dhe mbërriti afër hyrjes në momentin e sulmit.

Qëllimi i sulmuesve nuk ishte vetëm sulmi momental i individëve, por ata kishin konsideruar edhe dëme më afatgjate sepse policia, të cilët erdhën në vendin e ngjarjes pas njoftimit nga personat prezent, kishin konstatuar që gazi i hedhur nga sulmuesit përmbante kimikate që mund të dëmtonin seriozisht organet e frymëmarrjes.

“Brenda ka ekzistu një gjendje tmerri dhe ardhja e policisë nuk na shërbeu si zgjidhje. Ankthi edhe stresi mbizotëruan për një kohë të gjatë, ku nga ne u kërkua të qëndrojmë të mbyllur brenda ndërtesës derisa policia i përfundoi hetimet fillestare”, shpjegon Rajmonda.

Përveç frikës për jetë, ekzistonte edhe frika e zbulimit të identitetit, pasi ekspozimi i personave LGBTIQ+ ndaj një grupi të dhunshëm, mund të përfundonte edhe në shumë problematika tjera. “Ideja se je në një vend të ‘gabuar’, ngjalli edhe më shumë panik tek grupi, ku disa prej tyre tentonin që të kërcenin nga dritarja e katit të dytë”, tregon Rajmonda.

Pasi policia përfundon hetimet në Libertas, kërkon që grupi të shpërndahet dhe u ndihmon atyre të mobilizohen nëpër taksitë afër vendit. Megjithatë, sipas aktivistëve, konsiderohet se policia nuk bëri maksimumin për sa i përket sigurimit të personave të sulmuar. Shumë prej tyre shpjeguan se edhe kur shkonin për intervistë në polici, atyre nuk iu ofrohej kurrfarë mbrojtje fizike edhe pse tashmë rasti dihej se mund të vazhdonte e të eskalonte.

Pas 17 dhjetorit

Pas gjithë ngjarjes në Libertas, disa persona u mblodhën tek banesa e viktimës që kishte përjetuar sulme të rënda fizike, për të qëndruar me të dhe për t’i ofruar ndihmë. Gjendja e saj u përkeqësua edhe më shumë pas mesnatës dhe kësisoj e dërguan në emergjencë për trajtim.

“Kemi shku në banesë te viktima, ka qenë ora 12 e natës kur Mira përjetoi sulm paniku dhe humbi vetëdijen. Me krejt forcën ja kom mbajtë gojën hapë se u kon tu e përbi gjuhën. Ka qenë dimër, ftoftë, e kemi marrë viktimën në krah dhe nga stresi kemi dalë zbathur poshtë dhe jemi nisë për në spital ku nuk kemi guxu me e tregu rastin e i kemi thënë që rrahja ka ndodhë me një kafiteri”, tregon B.ZH përderisa shpjegon rrjedhën e mëtejme të ngjarjes.

Frika nga sulmet e tjera, shqetësimi i vazhdueshëm se sulmuesit janë duke i përcjellur gjatë gjithë kohës, tek individët që ishin prezent në sulm, shkaktoi terror të plotë e afatgjatë. Për ta, asnjë hapësirë më nuk ishte e sigurtë dhe gjithçka dukej e panjohur, e rrezikshme dhe kërcënuese.

“Ka qenë një situatë mjaft kritike, situatë ku mbrojtja ka qenë minimalja; gjithçka ka qenë e panjohur, na është dukur që as Prishtina më nuk është e jona”, deklaron Rajmonda teksa rikujton periudhën pas 16 dhjetorit.

Shenjat në trup, goditjet e rënda të përjetuara dhe e gjithë eksperienca e Mirës, kishin lënë trauma të përhershme te viktima. “Sot e asaj dite, 16 dhjetori më sjell veç dhimbje. Më e keqja nga e gjithë kjo është se rasti nuk është zbardhur asnjëherë dhe kjo është një formë e mohimit të tragjedisë”, tregon Mira.

Psikologe Venera Limani Kryeziu thotë se dëmet që u shkaktuan në aspektin e shëndetit mendor kanë lënë pasoja të shumta tek të gjithë ata që u sulmuan.

“Sulmet drejtuar ndaj një individi ose një grupi, në çfarëdo forme, fizike, emocionale, psikologjike, afektojnë shëndetin mendor dhe funksionimin e përditshëm të tyre. Si pasojë, personi mund të përjetojë shqetësime të larta, nivele të larta stresi, frike, ankthi, dhe të shkaktoj paaftësi të funksionimit duke paralizuar aktivitetet e jetës së përditshme”, deklaron psikologe Venera Limani Kryeziu.

 “Fatmirësisht jemi ende gjallë dhe jemi ende këtu”

Sulmi që ndodhi në Libertas ndaj personave queer, tashmë edhe për lexuesin e këtij teksti dihet se ishte sulm i bazuar në urrejtje dhe paragjykim. “Përderisa isha tu i shiku nga jashtë, fillova me u dridh e me mendu se prej nga po buron krejt kjo urrejtje ndaj disa personave që nuk kanë bërë asgjë të keqe”, përshkruan përvojën Arbeni.

Konsiderohej se ky sulm, mposhti lëvizjen LGBTIQ+ dhe se e ktheu shumë mbrapa në kohë. Shumë aktivistë u larguan nga lëvizja, disa prej tyre shkuan jashtë Kosovës, e disa persona të tjerë nuk morën pjesë asnjëherë më në evente queer. “Disa prej personave që kishin qenë prezent në eventin e 16 dhjetorit, kur jemi pa në rrugë, e kanë kthy kokën anash për mos me më folë”, tregon B.ZH.

Sulmet e njëpasnjëshme në vitin 2012, morën një vëmendje mjaft të madhe nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare. Të bashkuar, filluan që të ndërmarrin më shumë iniciativa për të ndryshuar një realitet që vështirësonte jetën e personave queer. “Duke konsideruar homofobinë e përgjithshme dhe se si askush nuk fliste asokohe për çështjet LGBTIQ+, kjo ndryshoi me rritjen e fokusit të fondeve ndërkombëtare në po këtë drejtim. Aktivizmi për LGBTIQ+ nga SEX, u bë sexy”, thotë Rajmonda.

Por për disa nga aktivistët tendenca për shuarjen e lëvizjes u refuzua e u luftua. Sot e asaj dite, shumë prej personave prezent në sulmin e 16 dhjetorit vazhdojnë të angazhohen dhe punojnë për një botë më të barabartë për të gjithë.

“Kemi pas momente të reflektimit të gjithë dhe kanë qenë dy zgjidhje, ose me u ndalë ose me vazhdu. Por nëse kishim vendosë me u ndalë nuk e di se sa kishë pas persona tjerë që kishin vazhdu, sepse normalisht që në atë kohë nuk ka pas numër të aktivistëve qysh ka sot. Sot lëvizja ka krejt tjetër kontekst. Ama, nëse lëvizja kishte stagnu atë kohë, sot nuk besoj që kishë me qenë sikur qysh është tash”, tregon Rajmonda.

Pra, në një mënyrë a tjetrën, sulmet e dhjetë vite më parë veç se e kishin forcuar e rebeluar më shumë lëvizjen dhe i kishin dhënë kahje tjetër aktivizmit. Revolta e rezistenca u bë më e madhe. Shumë aktivistë filluan të rrisnin dukshmërinë e personave queer përmes instalacioneve të ndryshme. Haveit, një grup i katër vajzave që me 14 shkurt 2014, në sheshin “Nënë Tereza”, shkëmbyen puthje mes vete në publik. Parada tashmë mbahet çdo vit. E mbi të gjitha, personat queer kanë filluar ta rikthejnë hapësirën të cilën ua kishin mohuar për vite me radhë.

Shkruajnë Medinë Dauti dhe Riola Morina