Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Si po diskriminohen gratë në konkurse pune përmes fotos në CV?

Sefer Zogaj 18.5.2026

“Ti nuk qenke si në fotografi”, ishte fjalia e parë që Blerta nga Prishtina dëgjoi sapo u ul përballë burrit që do ta intervistonte për një vend pune në administratë, në një kompani private.

Në intervistën ku kishte shkuar për të folur për përvojën, aftësitë dhe mundësinë për të siguruar një vend pune, që në fillim u përball me komente për pamjen e saj.

“Urdhëro”, kujton se ishte përgjigjur, e zënë në befasi.

“Jo asgjë, vetëm se live qenke më ndryshe sesa në fotografi”, i kishte thënë përsëri rekrutuesi.

Ajo thotë se pas atij momenti, intervista nuk ishte më e njëjtë. “Më humbi fokusi. E ndjeva që po paragjykohem në pamjen e jashtme. Kisha frikë se intervista nuk do kishte sukses”, vazhdon ajo teksa flet për rëndësinë e mundësisë për punësim si nënëvetushqyese.

Për të, puna ishte domosdoshmëri dhe kjo intervistë nuk ishte çështje karriere, por ekzistence.

Intervista kishte vazhduar me pyetje të tjera, por Blerta tregon se sikleti e kishte kapluar gjithë trupin dhe mendjen e saj.

Siç e priste, Blerta nuk ishte pranuar në punë.

Pas një kohe, ajo ka gjetur një punë si sektoriste në një kompani private.Blerta vazhdon të aplikojë për punë, por kjo përvojë e ndërtuar mbi stereotipe dhe standarde patriarkale estetike bën që, herë pas here, të hezitojë.

Rasti i Blertës pasqyron përvojën e shumë grave të tjera, të cilat diskriminohen apo komentohen për pamjen e tyre gjatë fazës së rekrutimit, por edhe përmes formave të tjera të diskriminimit, si pyetjet për planifikimin familjar dhe të ngjashme..

Një tjetër grua, G.K. nga Suhareka, thotë se as nuk arrin deri te intervista.

E kualifikuar si financiere, ajo ka aplikuar vazhdimisht për punë, por thotë se shpesh nuk i kthejnë as përgjigje. Me kohën, ka filluar të dyshojë se fotografia në CV mund të jetë një nga arsyet pse nuk ftohet.

“Kam një përshtypje që fotografia ime nuk po ju pëlqen”, tregon ajo.

E bindur se paragjykimi po i vinte për shkak të fotografisë, ajo thotë se provoi të aplikojë edhe pa të, por as kjo nuk ndryshoi gjë – duke dëshmuar një realitet ku, edhe kur fotografia nuk paraqitet si kriter zyrtar i aplikimit (edhe pse në shumë raste është), ajo vazhdon të funksionojë si kërkesë e heshtur e tregut të punës.

Pos pasojave financiare, ajo thotë se përjetimi i vazhdueshëm i refuzimit dhe ndjenja se po gjykohet për pamjen e saj kanë ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e saj mendor.

“Shpesh rri e mbyllur në dhomë”, thot G.

Kur fotografia përmbys gjithë përmbajtjen e CV

Për shumë gra në Kosovë, pabarazia në tregun e punës nis qysh në hapin e parë të pjesëmarrjes në të – te dokumenti bazik dhe universal i aplikimit: CV-ja (Curriculum Vitae). Në teori, ajo duhet të jetë një dokument që dëshmon kompetencën, ku pasqyrohen arsimimi, përvoja, trajnimet dhe aftësitë profesionale. Në praktikë, megjithatë, për shumë gra fotografia e vendosur në të mund ta mbysë krejt përmbajtjen e saj.

“Jam e bindur që isha e kualifikuar”, rrëfen Blerta.

Ky filtër diskriminues nuk është i rastësishëm. Ai mbështetet mbi stereotipet mbizotëruese në shoqëri për mënyrën se si duhet të duken gratë dhe vajzat – stereotipe të ndërtuara dhe të mirëmbajtura nga standarde patriarkale, të cilat vazhdojnë ta vendosin trupin dhe pamjen e grave në qendër të vlerësimit.

Sociologia Makfire Ademi thotë se fenomeni i diskriminimit gjatë fazës së rekrutimit i prek më shumë gratë, sepse mendësia patriarkale dhe standardet estetike në shoqëri destinohen kryesisht për të disiplinuar trupat dhe pamjet e grave, e jo për burrat dhe djemtë.

Diskriminimi nuk është linear në të gjitha vendet e punës, ndodh më shumë nëpër pozita ku punëtori ka kontakt me klientë.

Në tregun e punës, sidomos në sektorë si administrata, financa, tregtia dhe shërbimet, ekziston një pritshmëri e pashkruar për mënyrën se si një grua duhet të duket për t’u konsideruar “e përshtatshme” për punë.

“Vlerësimet përmes në bazë të fotografisë së vendosur në CV janë vlersime subjektive dhe jo profesionale të cilat reflektohen mbi  norma shoqërore ku na hapin shtigje mbi pabarazinë gjinore, vlerësimeve jo të drejta, etj”, shtoi ajo.

Ademi thotë se në Kosovë shumë shpesh gratë gjykohen mbi pamjen, para aftësive profesionale dhe intelektuale

Gratë gjykohen dhe paragjykohen për flokët, fytyrën, moshën, mënyrën si “duket” profesionalizmi sipas një kulture që vazhdon ta lidhë aftësitë e grave me paraqitjen e tyre.

Saxhide Mustafa nga Instituti Riinvest vlerëson se përfshirja e fotografisë në CV nuk është kriter formal për punësim, por një praktikë e normalizuar që e zhvendos vëmendjen nga përgatitja profesionale te paraqitja vizuale.

Ajo ka thënë se përfshirja e fotografisë nuk është e rregulluar formalisht si kriter punësimi, por është një praktikë e adoptuar nga modelet standarde të CV-ve dhe nga kërkesat e kompanive private.

Sipas saj, kjo krijon hapësirë për gjykime subjektive qysh në fazën e parë të aplikimit, para se të vlerësohen fare kualifikimet.

“Kjo krijon mundësi për gjykime subjektive para se të vlerësohen kualifikimet, ku pamja fizike, mosha apo mënyra e prezantimit vizual ndikojnë në selektimin fillestar të kandidatëve”, ka thënë ajo.

Kjo është veçanërisht problematike për gratë, sepse ato nuk paragjykohen vetëm nëse janë “të bukura” ose “jo të bukura” sipas një norme të caktuar. Ato paragjykohen edhe nëse duken “shumë të rregulluara”, “shumë të thjeshta”, “shumë të reja”, “shumë të vjetra”, “shumë serioze” apo “jo mjaftueshëm prezantuese”.

Me fjalë të tjera, gratë humbin edhe kur përpiqen të përshtaten, edhe kur nuk përshtaten.

Mustafa vlerëson se fotografia në CV “nuk do duhej të ishte problem”, por thekson se në praktikë krijon hapësirë për zhvendosje të fokusit nga kompetencat profesionale te pamja fizike.

Ajo thekson se gjatë punës ka dëgjuar raportime të tilla nga vetë gratë në tregun e punës në Kosovë.

“Kam dëgjuar për këtë dukuri në tregun e punës në Kosovë. Gratë raportojnë se në intervista hasin në komente e pyetje lidhur me statusin martesor apo planifikimin familjar çka tregon se diskriminimi nuk ndalet vetëm në fazën e CV-së, por vazhdon edhe në procesin e selektimit gjatë intervistës. Ka edhe komente të tilla që vajzat të cilat nuk i kanë përmasat trupore, dukjen dhe poashtu gratë e moshës mesme nuk janë të pranueshme në komunikimin direkt me klientët prandaj vlerësimi estetik para atij profesional”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Sipas Mustafës, këto paragjykime krijojnë barriera të padukshme që shfaqen herët në karrierën e grave dhe ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin profesional. Kur gratë vlerësohen edhe mbi bazë të pamjes, ato më rrallë shihen si kandidate për role drejtuese apo pozita vendimmarrëse.

Tutje ka thënë se standardet estetike dhe ndikimi i rrjeteve sociale kanë rritur presionin mbi gratë, duke krijuar perceptimin se ndërhyrja në pamje rrit mundësitë për punësim.

“Ky presion psikologjik nuk është i shëndetshëm dhe ndikon në rritjen e depresionit dhe zhgënjimit”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo i bën gratë të hezitojnë të aplikojnë për pozita më të larta apo të negociojnë për paga dhe avancim.

Problemi është i evidentuar

Sociologia Ademi thotë se ky fenomen nuk është i izoluar vetëm për Kosovën, por është i pranishëm edhe në rajon dhe në shumë vende të botës.  Raporti hulumtues  i OSBE “Diskriminimi në Konkurse për Punësim”, tregon se në 25% të konkursesve është kërkuar fotografia e CV, dhe është konstatuar një bazë e diskriminimit për 5%.

Për këtë çështje, kemi kontaktuar OSBE-në të cilët theksuan se nuk kanë realizuar ndonjë raport në lidhje me këtë temë specifikisht për Kosovë.

Ndër të tjerash, OSBE ka ndarë përvojën e tyre me proceset e aplikimit duke treguar se nuk aplikojnë fotografi në CV, pikërisht për të aplikuar rekrutim të drejtë.

“Megjithatë, si një praktikë e mirë e përgjithshme, OSBE-ja nuk kërkon fotografi si pjesë të procesit të aplikimit për punë, në përputhje me përpjekjet për të promovuar rekrutimin e drejtë dhe të bazuar në meritë”, thuhet në përgjigje.

Patriarkalizmi që pos karrierës dëmton edhe shëndetin mendor

Pasojat e kësaj forme të diskriminimit nuk maten vetëm me një vend pune të humbur.

Valbona Tarifaj, psikiatre në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë se pesioni për t’u përputhur me pritshmëritë estetike të tregut të punës mund të ketë pasoja serioze psikologjike për gratë.

Ajo thekson se në praktikë kujdesi për paraqitjen është pjesë e përgatitjes për intervista, por kjo është keqkuptuar me perceptimin estetik.

“Është e rëndësishme të jesh i rregullt dhe i pastër, por shumë rekrutues e kanë ngatërruar këtë me të qenurit e bukur në perceptimin e tyre, që është gabim”, ka thënë ajo, duke shtuar kështu procesi bëhet i padrejtë dhe dëmtues.

Sipas saj, shumë gra e internalizojnë këtë gjykim dhe fillojnë të shohin mundësitë për ndryshim të paraqitjes, çka përveçse e gabuar mund të jetë edhe stresuese.

“Ka pasur raste kur kanë aplikuar në një vend pune dhe konkurrenca për rekrutim është bazuar vetëm në pamjen fizike. Kjo ndikon në aspektin psiko-emocional””, ka thënë ajo.

Ankthi, humbja e vetëbesimit, tërheqja sociale dhe hezitimi apo refuzimi për të aplikuar sërish janë pasoja reale të këtyre praktikave thellësisht diskriminuese që vazhdojnë të formësojnë mënyrën se si gratë shihen, vlerësohen dhe përjashtohen nga tregu i punës.

Shumë punëdhënës nuk e pranojnë kurrë se fotografia ndikon në përzgjedhje. Por kjo nuk do të thotë se ky ndikimi nuk ekziston.

Artan Ramaj, menaxher i burimeve njerëzore në një kompani private, pranon se fotografia në CV vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në procesin e rekrutimit, veçanërisht në fazat fillestare të përzgjedhjes, edhe pse ndikimi i saj nganjëheë mund të jetë edhe i pavetëdijshëm.

Ndonëse thotë se ky nuk është qëndrimi i tij, ai thotë se nga praktika vëren se “te shumë rekrutues përshtypja e parë krijohet shumë shpejt dhe shpesh bazohet në elemente vizuale”.

Ai thekson se kjo situatë i prek gratë më shumë sesa burrat.

“Në shumë raste vërehet që pamja fizike e grave gjykohet më rreptë”, thotë Ramaj, duke shtuar se gratë përballen me pritshmëri më të larta për paraqitjen, mënyrën e veshjes, grimimin, moshën dhe pamjen profesionale. Për burrat, sipas tij, këto kritere janë më pak të theksuara, duke krijuar një pabarazi të heshtur edhe kur kualifikimet janë të njëjta.

Ramaj vlerëson se përfshirja e fotografisë në CV, në shumicën e rasteve, e dëmton objektivitetin e procesit të punësimit.

“Hap rrugë për paragjykime të vetëdishjme apo edhe të pavetëdijshme dhe zhvendos fokusin nga kompetencat te aspekti vizual”, ka vazhduar ai.

Bota po lëviz kah eleminimi i fotos së CV-së

Studime të ndryshme flasin për disavantazhet dhe mënyrat se si fotografia në CV mund të ndikojë në diskriminim të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm. Fotografia në CV, ndikuar nga normat patriarkale shpesh rrjedhon që fokusi të jetë te fotografia e jo në përmbajtjen e përvojës profesionale. Kjo e vë përpara subjektivitetin estetik krahasuar me objektivitetin profesional.

Të tjera raportime, sugjerojnë se në fazat e rektrutimit nuk është e nevojshme fare pamja fizike. Pjesa tjetër që mendon që një CV-je duhet t’i bashkohet një fotografi e bazojnë mbi atë që një individ duhet të dallohet nga turma, duke arsyetuar se fotografia e bën pikërisht këtë dallim. Por, pikërisht këtu qëndron diskriminimi, identifikimi me pjesën estetike teksa konkurset hapen për shërbime profesionale. Konkurrenca duhet të fokusohet në ekspertizë, aftësi e gatitshmëri për punë, jo në foto estetike që përfaqësojnë subjektivitetin e perceptimeve personale që nënkuptomn selektim që në fillim të procesit rekrutues.

Në vende si Shtetete Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar, rekrutuesit nuk preferojnë fotografi në CV, madje edhe nxitet që të kundërshtohet formati që obligon fotografinë, me synim që, të shmanget çdo lloj diskriminimi bazuar në pamjen e jashtme.

Në Kosovë, megjithatë, fotografia vazhdon të trajtohet si diçka normale në CV. Dhe pikërisht kjo normalitet i padiskutuar e bën praktikën edhe më të rrezikshme.

Sepse format më të qëndrueshme të diskriminimit janë ato që maskohen si zakone.

Meqë, shoqëritë e emancipuara po sfidojnë formatin e vjetër të CV me fotografi, ky hap duhet të ndiqet edhe në Kosovë.

Edhe menaxheri i burimeve njerëzore Ramaj propozon mos-kërkimin e fotografisë në fazën e parë të përzgjedhjes, përdorimin e CV-ve anonime dhe vendosjen e kritereve të qarta profesionale dhe të matshme për vlerësim.

Çdokush që plotëson kriteret profesionale meriton të ftohet në intervistë pune, duke thyer normat diskriminuese për estetikën që thyejnë karrierën dhe shëndetin mendor të shumë grave.  

________________________________________________________________________________________________________
Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ambasadës së Holandës.