Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Nënat studente kanë nevojë për mbështetje

Greta Avdyli 3.2.2021

Studimet e filluara në tetor të vitit 2008, Syzana Hajrizi u detyrua t’i ndërpres disa vite më pas kur lindi djalin e saj. Tash 32 vjeçare, ajo rrëfen për vështirësitë e mëdha me të cilat ishte përballur gjatë kohës kur jeta e saj ndryshoi dhe përgjegjësitë u shtuan. 

Përkundër faktit që në atë kohë Syzana kujdesej për fëmijën e vogël si dhe punonte me gjysmë orari për të ndihmuar familjen, në vitin 2013 ajo vendosi që të kthehet në Universitetin e Prishtinës dhe të vazhdoj studimet e lëna në gjysmë. Dëshira e saj për të studiuar nuk ishte e lidhur vetëm me ambicien për të gjetur një vend pune. Ajo ishte e interesuar të mësojë gjëra të reja dhe të zgjerojë dijen përmes studimit në fushën e sociologjisë.

Syzana jetonte në qytetin e Vushtrrisë dhe për të arritur në fakultet duhej të udhëtonte me dy autobusë të ndryshëm. “Mu ka dashtë djalin me e marrë me vete gjithmonë, për shkak se unë e kom ushqy me gji dhe në këto raste është pak problematike me e lanë për kohë të gjatë larg teje”, rrëfen ajo duke shtuar se për gjidhënien në hapësira publike kishte hasur në paragjykime të shumta.

Syzana Hajrizi  ©QIKA

Syzana është një prej shumë grave të cilat u përballen me plot ngarkesa e vështirësi për të përfunduar studimet. Të gjendura në situata të tilla ku shumica e tyre bartin obligimet e padrejta për punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj të tjerëve, ato shpesh kanë braktisur studimet. 

Burrat dhe gratë tradicionalisht i nënshtrohen roleve gjinore të përcaktuara që nga fëmijëria duke bërë kështu që edhe përgjegjësitë dhe pritshmëritë për secilin të jenë të strukturuara. Shpesh ndodhë që gratë të kenë filluar studimet e tyre pavarësisht rrethanave të pafavorshme, por që është dashur t’i ndërpresin ato për shkaqe të shumta, ndër to është martesa dhe obligimet familjare.

Një hulumtim nga Instituti për Politikat e Grave në SHBA, argumenton se gratë të cilat janë nëna dhe studente ndajnë pjesën më të madhe të kohës për tu përkujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë, duke u lënë pak hapësirë të merren me kujdesin ndaj vetes dhe me studime. Ky hulumtim konstaton se për shkak të sfidave që lidhen me balancimin e të qenit nënë dhe studente, ndikon që më pak se një e treta e nënave që kanë filluar studimet arrijnë të diplomojnë.

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se gratë ende vazhdojnë të konsiderohen të përjashtuara nga sfera akademike. Sipas saj grave që në moshë të hershme nuk iu është prezantuar studimi ose karriera si aspekt qendror në jetën e tyre, por vetëm si diçka kalimtare. Në këtë mënyrë, gratë rrallë e kanë pasur qëllim të shkollohen, të gjejnë punë apo të krijojnë karrierë. 

“Institucionet nuk kanë pasur kritika progresive dhe masa afirmative për gratë për ti stimuluar ato për vazhdimin e studimeve. Nëse e shohim edhe në aspekt filozofik, dija shihet si një prej fushave më të rrezikshme dhe ende perceptohet si terren i burrave. Burrat që kryesisht janë në vendimmarrje dhe në institucionet arsimore vështirë që i perceptojnë edhe gratë si bashkë hisedare në edukim”, thotë ajo.

Universiteti i Prishtinës nuk ka ofruar të dhëna për numrin e studenteve nëna, megjithatë QIKA ka kontaktuar disa prej tyre për të parë nga afër përvojat dhe sfidat me të cilat përballen ato brenda kampusit universitar.

Punët pa pagesë pengojnë shkollimin e grave

Duke qenë vazhdimisht të mbingarkuara brenda shtëpisë, gratë tregojnë se kanë pasur vështirësi të jenë të pranishme në ligjërata apo të ndajnë kohën për lexim dhe përgatitjen e provimeve. Kur ke gjithë këto kufizime, koha e mbetur për studim nuk është e mjaftueshme.

Tringa Mustafa nga Gjilani tregon se për shkak të lindjes është dashur të ndërpres studimet për tre vite. Ajo thotë se obligimet familjare dhe përkujdesja ndaj fëmijës ia kanë vështirësuar fokusin dhe përqendrimin në studime. Gjithsesi, marrë parasysh gjithë barrierat ajo ka përfunduar studimet për edukim dhe shkenca sociale si dhe është në përfundim të studimeve për infermieri.

“Veç i paraqitsha provimet po nuk kisha kohë as me shku për shkak të punës, për shkak të obligimeve të tjera edhe mandej prap iu riktheva”, thotë Tringa, duke shtuar se pa ndihmën e familjes nuk do të mund të përfundonte studimet.

Ajo poashtu tregon që ndër të tjera u ballafaqua edhe me probleme teknike si qasja në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve – SEMS pas rikthimit në Fakultetin  e Edukimit. “Kërkesat e mia shkojshin vetëm deri te IT, askund ma naltë, ato duheshin me mbërri te dekani me e marrë nënshkrimin. Është dashtë në muajin e nëntë të shtatzënisë me u ngjit në tre kate në Fakultetin e Edukimit me i trokit dekanit në derë me i thanë amon veç nënshkruma këtë kërkesë se po du me i vazhdu studimet, por edhe ajo ishte problem me u arritë” thotë ajo. 

Obligimet brenda shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e grave të kenë stres, ankth, zemërim dhe konfuzion, për arsye se nuk vlerësohen përpjekjet dhe kompromiset e tyre. 

“Studimet post-diplomike kanë nevojë për më shumë kohë për studim, në këtë kuptim gratë kanë nevojë për një rrjet dhe përkrahje të madhe të rrethit që shihet qartë që vajzat nuk e marrin atë përkrahje as nga partnerët e tyre, as nga familjet e tyre të origjinës”, thotë sociologia Linda Gusia. 

“Në momentin e parë që e kam kuptuar që jam shtatzënë, e vetmja arsye pse kom kajtë ka qenë veç fakulteti, e kom ditë që ose është dashtë me e vazhdu në ato kushte ose është dashtë me e ndërpre edhe me pauzu një kohë”, thotë Drenusha Sojeva, 27 vjeçare nga Ferizaji e cila i është kthyer studimeve pas katër viteve.

Ajo tregon se është transferuar nga Universiteti i Prishtinës në atë të Maqedonisë për shkak të mundësisë për të vijuar ligjeratat online, meqenëse UP nuk i ka ofruar asaj të njëjtën mundësi. “Ka ndodhë kur mu ka dashtë me i mbajtë ligjeratat lëshut edhe të njëjtën kohë me e bo drekën ose me e kry një punë që e kom”, thotë Drenusha. Ajo pohon se bashkëshorti i saj ka qenë mjaft përkrahës duke i ndihmuar kështu për kujdesin ndaj fëmijëve, sidomos në kohën kur Drenushës i është dashur të dorëzoj detyrat akademike dhe të përfundoj provimet. 

Liridona Sijarina  ©QIKA

Sipas Liridona Sijarina sistemi patriarkal së bashku me kapitalizmin ka tendenca për ta lënë gruan aktive vetëm në sferën private. Ajo pohon se gruas gjithmonë i atribuohet roli i nënës dhe ai i gruas dhe jo si individ në vetvete por si bashkëshorte e dikujt. Sipas saj kjo mendësi nuk u lë hapësirë dhe mund të mos t’iu ofrojë mundësi grave për të menduar se ato mund të kenë potencial edhe në sferën publike. 

Universiteti i Prishtinës nuk ofron kushte të përshtatshme për studentet nëna

Pavarësisht mbingarkesës që kanë nënat të cilat studiojnë, kushtet e papërshtatshme për to në universitet vetëm sa iu ka rënduar studimet. Ndonëse ka pasur disa iniciativa në këtë drejtim, Universiteti i Prishtinës nuk ofron as kushtet minimale për nënat që studiojnë aty.

Linda Gusia, profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë, thotë se disa herë është rekomanduar në Rektorat që të hapet një kopsht i vogël në kampus me qëllim të sinjalizimit të një gatishmërie për mbështetje në nivelin institucional për gratë, mirëpo që ende nuk është marrë parasysh ky rekomandim. 

Idenë për ndërtimin e një kopshti në kampusin universitar e mbështet edhe Ferdone Llonçari e cila është Koordinatore e Qendrës për Barazi Gjinore në Universitetin e Prishtinës.

“Në vitin 2012 jam emëruar si Koordinatore e QBGJ-së së UP-së. Ideja bazë për pranimin e kësaj pune ishte realizimi i ëndrrës time për krijimin e një hapësire të qëndrimit ditor për fëmijë. Ajo hapësirë duhet të jetë në kuadër të Fakultetit të Edukimit dhe do të kishte shërbyer për strehimin e fëmijëve të stafit të UP-së pa përjashtim si dhe studenteve nëna. Edukatorë do të ishin studentët të cilët kanë obligim ta kryejnë praktikën”, thotë ajo. Sipas saj institucionet shoqërore në tërësi, pra familja dhe universiteti në këtë rast duhet ti bashkërendojnë obligimet të cilat u’a bëjnë më të lehtë nënave të reja që ti realizojnë synimet e tyre për ngritje intelektuale.

Megjithatë, pavarësisht nevojës si dhe kërkesave të paraqitura, UP ende nuk ka ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim. Këtu shihet qartë që nevojat e grave në kontekstin tonë asnjëherë nuk janë konsideruar si primare, meqenëse barra e përkujdesjes për fëmijë iu bie kryesisht atyre.

Ndërsa, Liridona Sijarina mendon se Qeveria e Kosovës nuk i është i përgjigjur nevojave të grave për të krijuar politika të ndjeshme gjinore që do t’u ndihmonin grave familjare dhe njëkohësisht studenteve.

Megjithatë politikat e universiteteve nëpër botë kanë prioritet avancimin e grave të cilat kanë obligime familjare dhe përveç tjerash janë nëna. Ata përmes bursave dhe fondeve të caktuara që ndajnë për këtë kategori të studentëve, synojnë t’u lehtësojnë vështirësitë e kujdesit për familjen dhe vazhdimin e studimeve. Universitete të tilla si ai i Minnesota-s, Mills-it, Iowa-s, e shumë të tjerë, përmes programeve BA dhe MA ofrojnë mundësi nga më të ndryshmet për të mbështetur gratë gjatë studimeve. Këto universitete u sigurojnë grave qëndrim ditor brenda kampusit për fëmijët e tyre, u mundësojnë qasjen në fondet e programit për t’u lehtësuar jetesën, u sigurojnë apartamente afër kampusit, u mundësojnë atyre që t’i ushqejnë fëmijët e tyre në menzat e kampusit, dhe padyshim që u sigurojnë atyre mentorim të veçantë dhe qasje online në literaturë dhe ligjerata. 

Gratë nuk motivohen për studime, pak prej tyre punësohen

Mbi 80% e grave në Kosovë janë pasive në tregun e punës. Numri i grave të papuna është me i lartë se i burrave përkundër faktit që ato kanë shkallën më të lartë të diplomimit sipas një raporti të Institutit GAP.

Favorizimi i burrave në tregun e punës ka ndikuar që shumë grave t’iu zbehet entuziazmi për vazhdimin e studimeve. Diskriminim edhe më të madh në punësim përjetojnë gratë që janë nëna, kjo për shkak se punëdhënësit tentojnë të maksimizojnë kohën dhe përkushtimin e punëtorëve dhe kësisoj nënat i shohin si më të pa dobishme.

Tringa Mustafa tregon për një nga përvojat e saja gjatë periudhës kur ishte punë kërkuese. Atë kohë fëmija i saj ishte vetëm katër muajsh dhe një nga pyetjet që asaj iu parashtrua gjatë intervistës së punës ishte “ti e ke djalin e vogël, qysh do t’ia bësh për të hyrë në punë?”. Kësaj të fundit i është refuzuar mundësia për t’u punësuar nën arsyetimin se fëmija i saj ishte shumë i vogël dhe kjo gjë do ta pengonte në punë. 

Tringa Mustafa ©QIKA

“Fakti i mungesës së kushteve ekonomike në atë kohë, më ka kufizuar aq shumë edhe për jetën në familje e lëre më për jetën në studime”, thotë ajo. 

Edhe Syzana pohon se papunësia është ndikues i madh në rënien e vullnetit dhe mos vazhdimin e studimeve. Krahas kësaj, ajo potencon se tregu i punës në Kosovë është i vrazhdë për gratë, pasi që përkundër të gjitha sfidave, gruaja ende shihet si objekt, duke i kufizuar kështu asaj mundësinë për të dëshmuar veten dhe aftësitë e saja në punë.

“Gratë i step vetë ideja që ato nëse konkurrojnë me një punë e kanë shumë vështirë me hy edhe me e fitu vendin e punës, për shkak të preferencave që janë për burra. Edhe pse kemi disa masa afirmative kur vjen ideja te punësimi por ato janë veç në letër, nuk ka diçka që është përkthyer në politika konkrete dhe që na mundemi me e matë”, thotë Liridona Sijarina. Ajo për më tepër thekson se politikat të cilat kanë fokus mirëqenien e grave do t’i stimulonte ato ti ndjekin studimet apo të punësohen. 

Sipas sociologes Linda Gusia, emancipimi shoqëror vjen me arsimim të përgjithshëm të shoqërisë me ç‘rast krijohen mjetet me të cilat artikulohet pabarazia. “Nuk mendoj që grave në Kosovë ka nevojë t’iu shpjegojmë për pabarazi, por me arsim gratë e marrin gjuhën, artikulimin, por edhe idetë se si mund të organizohemi për të krijuar shoqëri pak më të drejtë, sesa në ata në të cilën jemi”, thotë ajo. 

Përfshirja e grave në sferën publike e veçanërisht arsimimi i tyre arrihet vetëm duke luftuar stereotipet dhe trajtimin që i bëhet gruas në përgjithësi. Roli i gruas nuk kufizohet vetëm në krijimin e familjes, mirëpo edhe në fuqizimin e saj jashtë shtëpisë. Kjo arrihet kur nevojat e tyre konsiderohen primare, me ç‘rast përmes politikave të veçanta u japim atyre mundësinë dhe komoditetin për të vazhduar rrugëtimin e tyre për t’u profilizuar në fusha të ndryshme.

Team

Greta Avdyli

Hulumtuese