Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Pushim për dhimbjet menstruale

Donika Gashi 2.3.2021

Dy organizata joqeveritare kosovare bashkojnë përpjekjet për ofrim të pushimit menstrual për punëtore, koncept ky që ende debatohet nëpër botë

“Kam dhimbje barku, dhimbje shpine – ndryshim të humorit e nuk kam energji”. Kështu i përshkruan dhimbjet që përjeton çdo muaj nga cikli menstrual, Vesa Lamaxhema.

Ajo ka dy vjet që punon në njërin prej butikëve më të njohur në vendin tonë pesë ditë në javë e tetë orë në ditë. Puna e saj është që t’iu ndihmojë klientëve në përzgjedhjen e rrobave dhe kryesisht kërkon qëndrimin në këmbë. Përjashtim nga rutina e punës, nuk bën as në ditët kritike.

Për shkak të dhimbjeve që përjeton nga cikli menstrual, ajo çdo muaj merr medikamente dhe për këtë arsye është detyruar disa herë të kërkojë pushim mjekësor.

“Në ditën kur më vjen cikli, kam dhimbje të mëdha të barkut, të shpinës dhe ndonjëherë edhe të kokës. Është pak problematike, sepse përderisa unë jam me dhimbje, përveç fizike edhe në anën psikologjike është pak e vështirë me u fokusu dhe me e dhënë 100 përqindshin në punë”.

Që disa gra kanë dhimbje më të theksuara gjatë ciklit e konfirmon edhe gjinekologia, Drita Kabashi.

Ajo deklaron që disa paciente të saj detyrohen të marrin vërtetim mjekësor në mënyrë që ta arsyetojnë mungesën në punë.

“Për fat të keq është një përqindje, diku 25-30 për qind e grave që kanë dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual. Ky është një numër i madh i vajzave apo grave që kanë nevojë për trajtim apo për pushim mjekësor”.

Në këto 10 vjetët e fundit Lamaxhema ka ndërruar gjashtë punë dhe asnjëra prej tyre nuk i ka siguruar pushimin menstrual. Madje ajo shprehet që nuk njeh asnjë kompani në Prishtinë që u siguron punëtoreve gra një ditë pushimi në muaj për shkak të dhimbjeve menstruale.

Por ndryshe nga vendi aktual i punës dhe ato paraprake, disa qeveri në botë dhe disa kompani vendosën që të shkojnë një hap më tej. Aprovuan ‘Pushimin Menstrual’.

Pushimi menstrual është një lloj i veçantë i pushimit me apo pa pagesë. Gratë që punojnë mund të marrin një apo më shumë ditë pushimi në muaj kur janë me perioda dhe ky pushim nuk cilësohet si ‘pushim mjekësor’ por specifikohet si ‘pushim menstrual’.

Ka shumë kompani ndërkombëtare që pavarësisht legjislacionit të shtetit, kanë vendosur që ta aplikojnë një pushim të tillë. Edhe Kosova ka disa sosh.

Pesë vjet më parë një organizatë joqeveritare kosovare vendosi që të aplikojë ‘Pushimin Menstrual’ duke u bazuar nga shembulli i kompanisë ndërkombëtare Nike.

Bëhet fjalë për Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Ndonëse fushë-veprimtaria e kësaj të fundit dhe Nike-s është krejtësisht ndryshe, kjo organizatë joqeveritare kosovare po e praktikon shembullin që ka dhënë kompania ndërkombëtare e veshmbathjeve sa i përket pushimit menstrual.

“Gjatë hulumtimeve të cilat i kemi bërë për të parë se si OJQ-të, apo edhe sektorët e tjerë e kanë të adresuar këtë çështje, ne kemi përdorur shembullin nga kompania Nike”, shprehet Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu.

Kjo organizatë për herë të parë vendimin për aplikimin e lejes menstruale e ka publikuar më 8 mars të vitit 2015-të, si qëllim i avancimit të të drejtave të grave.

“Pushimi menstrual është i përkufizuar si i veçantë në kuadër të kategorisë së pushimeve dhe është integruar në rregulloren e punës së organizatës (pika 11.6). Sipas këtij neni, gratë gëzojnë të drejtën për të marrë një ditë pushimi në muaj. Është në diskrecionin e punonjësve nëse ato duan ta shfrytëzojnë këtë ditë pushimi shtesë, pa cenuar ditët e pushimit mjekësor, vjetor ose pa pagesë”.

Kryeziu shton që në KDI, 56 për qind e të punësuarave në vitin 2020 janë gra. Sipas tij, e drejta e grave për të pushuar një ditë në muaj gjatë ciklit menstrual, ka bërë që ato të motivohen edhe më shumë për punë.

Por nuk është vetëm kjo organizatë joqeveritare në vendin tonë, që praktikon një ditë pushim për të gjitha gratë punonjëse që kanë dhimbje në ditët kritike të muajit.

Qendra për Këshillime Sociale dhe Hulumtime (SIT), që nga shtatori i 2019-ës, e ka të rregulluar çështjen e lejes menstruale.

Ndonëse shembuj konkret nuk kanë marr nga asnjë vend apo kompani ndërkombëtare, ish Këshilltarja për Çështje Gjinore në SIT, Mirishahe Syla, shprehet që përmes një të drejte të tillë, gratë mund të ndihen vetvetja në vendin e punës.

“Përderisa në shumicën e vendeve të punës, ka tendenca të mos diskutohen nevojat apo identitetet e të punësuarve nga një perspektivë gjinore, shtimi i kësaj perspektive në krijimin e çdo politike të organizatës ka bërë që të merren parasysh të punësuarat gra duke i pranuar ato me të gjitha nevojat specifike që i kanë”.

Syla ka treguar që gratë e punësuara në këtë organizatë kanë të drejtë të marrin një ditë pushim në muaj, nëse kanë dhimbje gjatë ciklit menstrual.

“Qëllimi është që secilit punëtor/punëtore t’i krijohen kushtet e duhura për punë dhe një ambient ku ata mund të kontribuojnë me tërë potencialin e tyre, pa kufizuar apo rrezikuar ata/ato bazuar në nevojat e tyre të veçanta që mund t’i kenë”.

Si në SIT ashtu edhe në KDI, një ditë pushimi në muaj për ciklin menstrual merret në mirëbesim dhe nuk ka nevojë për dëshmi të mjekut.

Ndonëse në këto dy organizata joqeveritare në Kosovë gratë mund të pushojnë nëse ndjejnë dhimbje menstruale, në shumë kompani apo institucione vazhdon të jetë tabu çështja e ciklit menstrual. Të heshtura për shkak të kësaj tabuje vazhdojnë të mbesin edhe dhimbjet e përmuajshme të shumë grave.

Sipas Vesa Lamaxhemës shumë kolege të saj edhe pse kanë dhimbje çdo muaj, kanë turp të kërkojnë leje për pushim pasi eprorët e tyre janë burra.

“E kam vërejtë që ka shumë vajza në punë që ngurrojnë dhe nuk dojnë që menaxheri, gjinia mashkullore më konkretisht, ta dinë që kanë dhimbje nga cikli. Për shkak të mentalitetit, i durojnë dhimbjet edhe atëherë kur ato janë të padurueshme”.

Që stigma mbi ciklin menstrual dhe në përgjithësi mbi trupin e gruas ekziston ende në shoqërinë tonë  mendon edhe sociologia Linda Gusia.

Ajo madje e sheh të hershme diskutimin për ‘Lejen  Menstruale’, pikërisht për shkak të mentalitetit dhe perceptimit që ka shoqëria mbi gruan dhe trupin e saj.

Duke marrë për bazë realitetin ekonomik të shumicës së grave kosovare, Gusia gjykon që nëse një politikë e tillë nuk do hulumtohej si duhet në vendin tonë, do e thellonte edhe më shumë pabarazinë.

“Mendoj që për një përqindje të grave, dhimbja menstruale është shumë e fuqishme dhe detyrohen të pushojnë, e ato gra duhet të kenë të drejtë pushimi. Por nga ana tjetër e medaljes kur flasim për të drejta – e ajo është lidhja me mirëqenie ekonomike, në sistemin ekonomik që ne funksionojmë kemi diskriminim të madh edhe për të drejtën e pushimit të lehonisë apo edhe në qasjen në tregun e punës, i cili është i padrejtë në përgjithësi”.

Në Kosovë kjo temë mund të jetë e hershme për tu diskutuar por në Japoni për pushimin menstrual është diskutuar qysh në shekullin e kaluar. Në fillim të viteve 1920 atëkohë Sindikatat e Bashkuara të Punëtoreve, filluan të ngritin zërin që punëtoret gra të kenë mundësi pushimi në ditët e menstruacioneve.

U deshën më shumë se njëzet vjet që kjo lëvizje të bëhet pjesë e legjislacionit japonez.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore përmes ‘Standardeve Japoneze të Punës’, u është mundësuar grave të marrin dy ditë pushimi në muaj.

Antropologia japoneze dhe hulumtuesja në Universitetin Seijyo në Tokio, Asa Taguchi, thotë që ndonëse bashkëkombëset e saj e gëzojnë këtë të drejtë për më shumë se shtatëdhjetë vjet, shumë pak prej tyre e praktikojnë atë. Kjo edhe për shkak se japonezët në përgjithësi marrin shumë pak ditë pushimi në vit.

“Gratë japoneze nuk insistojnë në të drejtën e tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies, vetëm 0.9 për qind e grave që punojnë, kanë shfrytëzuar këtë të drejtë nga prilli i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015. Nga viti në vit numri i grave që marrin ‘Pushim Menstrual’ është ulur dukshëm”.

Ajo shton që  Seirikyuuka  (leja menstruale në japonisht), ka qenë vështirë e aplikueshme qysh në fillimet e saj, për shkak të tabusë që e karakterizon ciklin menstrual.

“Gratë e kanë pasur të vështirë të insistojnë të marrin pushim. Për shembull, gratë e gjeneratave të mëhershme thoshin që ‘kjo i shkakton probleme me kolegët’, ‘shefi i ngacmon’, ‘kolegët burra zemërohen’. Ende ka vështirësi të tilla. Por së fundmi, sipas mendimit tim shumë gra për të mos marrë ditë pushimi marrin medikamente të ndryshme”.

Përveç Japonisë ‘Leja Menstruale’ ekziston edhe në Indonezi, Taivan, Korenë e Jugut si dhe në Zambia.

Ndonëse në asnjë shtet evropian ‘Leja Menstruale’ nuk është pjesë përbërëse e legjislacionit shtetëror, Italia është shteti i parë që ka bërë tentativë për ta rregulluar me ligj çështjen e dhimbjeve menstruale dhe grave në tregun e punës.

Katër deputete gra nga Partia Demokratike Italiane, në fund të 2016-ës propozuan projektligjin për ‘Lejen Menstruale’, që nuk arriti t’i marrë votat e duhura për tu bërë ligj.

Feministja italiane, Matilde Cittadini, e kujton kohën kur u propozua ky projekt-ligj, si një temë që ngjalli shumë debate pro dhe kundër në shoqëri. Ligji kishte shkaktuar polemika në shoqërinë italiane. Deputetët burra nuk e kishin përkrahur dhe në anën tjetër, as të gjitha deputetet gra siç mund të ishte e pritshme.

“Ky draft nuk u mirëprit pozitivisht nga të gjitha deputetët gra. Në fakt, në njërën anë disa e shihnin këtë projekt-ligj si shumë progresiv dhe revolucionar, që do i fuqizojë gratë dhe do e thyejë tabun për ciklin menstrual. Kurse në anën tjetër, shumë gra deputete besonin që nëse një projekt-ligj i tillë miratohet, atëherë do ishte një hap prapa në luftën për barazi”.

Sipas këndvështrimit të saj shoqëria italiane nuk ishte ende e gatshme për një ligj si ky.

Në botë ka disa kompani që pavarësisht nga legjislacioni shtetëror, kanë vendosur që të aplikojnë lejen menstruale për punëtoret gra.

Përveç Nike-s ku edhe është frymëzuar KDI-ja në Kosovë, ka edhe shumë kompani të tjera që kanë vendosur që grave të ua mundësojnë një apo më shumë ditë pushimi në muaj për shkak të periodave.

Coexsit është kompania e parë britanike që e ka propozuar politikën për pushim menstrual. Në mars të 2016-ës, pronarja e kësaj kompanie, Bex Baxter, tregoi që kjo formë e pushimit do t’i bënte edhe më produktive punonjëset e saj.

Së fundmi edhe një prej rrjeteve më të mëdha për shpërndarjen e ushqimeve në Indi, Zomato, është duke e praktikuar ‘Lejen Menstruale’. Që nga gushti i këtij viti Zomato, u mundëson punëtoreve gra (dhe atyre transgjinore) që të kenë dhjetë ditë më tepër pushim në vit, për shkak të ciklit menstrual.

Në uebfaqen e tyre zyrtare, Zomato, shpjegon që gratë në këtë kompani më nuk kanë nevojë të ‘gënjejnë’ kur janë me cikël menstrual, pasi ato do mund tu tregojnë mbikëqyrësve të tyre që janë me cikël dhe të kenë të drejtë të pushojnë atë ditë.

Në shkrimin e tyre, arsyetohet ky vendim duke shkruar që kjo kompani e kupton që burrat dhe gratë jetojnë në realitete të ndryshme biologjike.

“Nuk duhet të këtë stigmë dhe turp kur u tregohet të tjerëve që jeni në pushim menstrual”, shkruhet në blogun e tyre.

Debati që gratë të mund të kenë të drejtë të pushojnë gjatë ciklit menstrual është i vjetër. Disa argumentojnë që kjo e nxitë barazinë gjinore duke ua njohur grave të gjitha karakteristikat biologjike ndërsa pala tjetër e argumenton të kundërtën – pra që leja menstruale do e rriste pabarazinë gjinore.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vendin tonë vetëm 13.7 për qind e grave janë të punësuara. Pikërisht për shkak të numrit të madh të grave të papunësuara në Kosovë, sociologia Gusia e sheh jo vetëm të hershëm pushimin menstrual, por si një mundësi që do thellonte pabarazinë gjinore.

Në kushte me të cilat jemi ajo mendon që mund të bëhet diçka tjetër për ciklin menstrual dhe kjo është largimi i taksës ku pecetat higjienike cilësohen si ‘produkte luksi’.

“Për mua në kontekstin ku jemi, përveç që duhet një referormim i përgjithshëm i sistemit ekonomik, diçka më e arritshme në afat të shkurtë kishte me qenë që vajzat dhe gratë të kenë qasje në peceta higjienike, në institucionet shkollore dhe publike. Si dhe esenciale është të hiqet taksa për peceta që të jenë më të qasshme për shumicën e grave dhe vajzave”, thotë ajo.

Gratë kosovare nuk janë në pozitën më të favorshme të mundshme ekonomikisht. Një vend pune në një vend ku papunësia është trendi mbizotërues, është prioriteti. Në realitetin e vrazhdë me të cilin gratë ballafaqohen si pasojë e papunësisë, dhimbjet menstruale mund të jenë të fundit në listën e tyre të gjatë të brengave. Por dhimbjet i shoqërojnë. Ndonëse mbesin të injoruara.

Ky artikulli është prodhuar falë mbështetjes së “Transitions”.

Pikëpamjet e autores nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA