Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Roli i grave lezbike, biseksuale dhe trans grave në lëvizjen LGBTIQ+ në Kosovë

Kryengritja e Stonewall e cila ndodhi në vitin 1969, na rikujton lindjen e lëvizjes ndërkombëtare për të drejtat LGBTIQ+. Kjo ngjarje u bë simbol i rezistencës ndaj diskriminimit social dhe politik që frymëzoi solidaritet mes personave LGBTIQ+  për shumë dekada. Kjo lëvizje shërbeu si një katalizator për një brez të ri të aktivizmit politik.

Gratë në të gjithë botën kanë luajtur rol kyç në avancimin e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu përpjekjen për barazi gjinore, duke e ndërthurur me luftën kundër racizmit dhe kundër diskriminimit të personave LGBTIQ+. Përkundër vështirësive dhe diskriminimit, kjo lëvizje filloi të frymonte edhe në Kosovë, ku gratë patën rol kyq në shtytjen e saj dhe luftën kundër diskriminimit.

Fillet e lëvizjes LGBTIQ+  në Kosovë u nisën nga këngët e poezitë e vjetra që u këndonin dylberëve, më pas me bashkimin e çiftit të parë lezbike në vitin 1996, e duke vazhduar me themelimin e organizatave jo-qeveritare nga viti 2002, hapjen e qendrës së parë drop in në Prizren në vitin 2004, pastaj organizimin e Marshit të parë për ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë në vitin 2014  e deri tek parada e parë e krenarisë e mbajtur në vitin 2017 dhe gjithçka tjetër ndërmjet këtyre viteve.

Në diskutimin publik të organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD  në bashkëpunim me Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, të mbajtur në dhjetor të vitit 2021 në Prishtinë, u nënvizuan përvojat e aktivisteve gra në lëvizjen LGBTIQ+ si dhe u theksua nevoja për organizim të mëtutjeshëm kundër shtypjes e diskriminimit.

Myrvete Bajrami, Rajmonda Sylbije dhe Arlinda Morina përgjatë diskutimit folën për rolin e grave lezbike, biseksuale, trans grave në lëvizjen LGBTIQ+ në Kosovë, na treguan më shumë për historikun, vështirësitë dhe rolin e tyre që patën si aktiviste për avancimin e të drejtave LGBTIQ+.

Myrvete Bajrami, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBTI, ka qenë pjesë e CSGD-së që nga viti 2003 si dhe themeluese e organizatës Qendra për Emancipimin Shoqëror – QESH në vitin 2005. Ajo është marrë direkt me avokimin dhe përfshirjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor në strukturat ligjore të Kosovës duke përfshirë këtu Kushtetutën e Kosovës, e më pas Ligjin për Barazi Gjinore. Ndër të tjera, Bajrami një kohë të gjatë është marrë me trajnimin e policisë dhe stafin e mësimdhënësve në shkollat e Kosovës, mbi atë se çka janë të drejtat LGBTIQ+.

Poashtu, Rajmonda Sylbije, aktiviste kosovare për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë që nga viti 2006, ka qenë bashkë-themeluese si dhe drejtore ekzekutive e organizatës Center for Equality and Liberty – CEL deri ne vitin 2017. Sipas saj, në Kosovë ka pasur nevojë për më shumë organizata dhe për frymë të re.

Ndërsa, regjisorja Arlinda Morina, bisedoi më shumë rreth shfaqjeve në të cilat ajo ka luajtur si aktore dhe ato të cilat kanë qenë nën regjinë e saj. Në vitin 2013 ka realizuar filmin “Rrobaqepësja” dhe në vitin 2020  ajo ka punuar shfaqjen e saj me titullin “A je çikë a djalë?” e cila është shfaqur në kohën e pandemisë. Që të dyja këto kanë trajtuar çështjen LGBTIQ+.

Diskriminimi dhe urrejtja ndaj personave LGBTIQ+ ishte mjaft e përhapur. Në një shtet dhe shoqëri patriarkale si e jona, me problemet e varfërisë, korrupsionit dhe krimit, si dhe luftën për të drejtat e grave veçmas, lë pak hapësirë të diskutohet për të drejtat LGBTIQ+. Kështu, Myrvete Bajrami kujton takimin e parë në Zyrën për Qeverisje të Mirë/ Zyra e Kryeministrit, në të cilën është thirrur për të diskutuar për të drejtat e personave LGBTIQ+. Pyetja që i është bërë asaj ka qenë se sa persona LGBTIQ+ janë gjithsej dhe përgjigja e dhënë nga ana e saj ka qenë se janë diku 7-10% e popullatës. “Unë, tha, i kam 2 milionë shqiptar pa ujë e rrymë e ti po vjen këtu po fol për të drejtat e pederave. Edhe reagimi jem ka qenë:  po, unë këto të drejta po i du, që pastaj veç rrymën edhe ujin me e pasë problem”, tregon Myrvetja për bashkëbisedimin me zyrtarin publik. Ndërsa nga viti 2012 sulmet që ndodhnin kundër organizatave dhe personave LGBTIQ+ ishin shpeshtuar mjaft shumë. Në po këtë vit, Kosovo 2.0, një platformë mediale alternative, po planifikonte të lansonte revistën “Seks”, e cila mbulonte tema për jetën LGBTIQ+ në Kosovë dhe Ballkan, edukimin seksual, dhe shumë çështje të tjera. Fatkeqësisht, pak para eventit, një grup prej 20 burrash hynë në sallë dhe shkatërruan skenën dhe rrahën brutalisht një nga punonjësit. Si pasojë e kësaj, eventi u anulua.

Sulmi ishte organizuar nga ekstremistët islamistë dhe huliganë të cilët përgjatë sulmit thirrnin “Dilni jashtë pedera” dhe “Allahu akber”. Megjithë dëmet që kishin shkaktuar në këtë natë, ata nuk kishin cak vetëm këtë event, ditët e ardhshme kishin sulmuar edhe organizatën “Libertas”, ku pjesë e kësaj ishte edhe Rajmonda Sylbije që ndau përvojën e saj gjatë kësaj ngjarjeje.

“Zyrat tona në Libertas kanë qenë të sulmuara prej 7 personave, për të cilët kurrë nuk është arritë me u zbardhë rasti dhe është mbyllur për shkak të mungesës së dëshmive. Më pas kanë filluar të targetojnë persona në rrugë që veç ju kanë dukë që janë gej apo lezbike, dhe ne është dashtë për një kohë tepër të shkurtër me shiku se qysh mundemi me u organizu për vetëmbrojtje.”

Për shkak të patriarkalitetit të theksuar, personat gej kanë pasur më së shumti probleme duke qenë se janë përballur më shumë me dhunën fizike, me ç’rast rastet e raportuara në polici gjithmonë kanë qenë për dhunë ndaj tyre. Ndërsa, gratë lezbike janë përballur me probleme dhe diskriminim të shumëfishtë. Së pari, duke ndrydhur orientimin seksual dhe së dyti duke qenë të ekspozuara në një shoqëri seksiste e cila vazhdimisht tenton ta heshtë zërin e grave. 

Rajmonda Sylbije shprehet se pas këtyre sulmeve ka qenë një pikë kthese se janë ngritur shumë dilema se a është e mundur të vazhdohet me aktivizëm në Kosovë apo jo. “Nëse ishim tërhequr 4-5 persona mendoj që lëvizja kishte me pas një stagnim të madh për tepër shumë vite. Në këtë pikë ne jemi fuqizuar 10 fish më shumë dhe kemi marrë fuqi pikërisht prej këtij rasti. Mandej aktivizmi ka filluar të marrë një kahje tjetër, më të strukturuar e të programuar. E kemi pasë shumë të qartë se kush çka është tu bo, aktivitetet kanë qenë më mirë të dizajnuara”.

Një ndër problemet e shumta të personave LGBTI ka qenë pranimi i vetes dhe përballja me të tjerët. Frika e refuzimit nga familja dhe miqtë si dhe frika nga kërcënimet dhe dhuna ka bërë që këta persona të jetojnë të mbyllur duke mos u ndjerë të sigurt për të shprehur haptazi orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor. “Unë gjithmonë e them që janë tri “coming outs”, e para është me veten, e dyta është me komunitetin, e treta është me familjen apo persona të tjerë”, pohon Rajmonda Sylbije. Ajo tregon se kanë ekzistuar grupe queer të cilat zakonisht kanë funksionuar në rrethe të fshehura dhe të mbyllura. Njëlloj edhe Myrvete Bajrami kujton se edhe ata që e kanë përkrahur nuk e kanë bërë të njëjtën gjë në publik. “Realisht të njëjtat gra nuk më kanë përshëndetë rrugës, kanë pasë frikë të më përshëndesin, se mos munden me u identifiku që ndoshta edhe ato janë pjesë e atij komuniteti”, tha ajo.

Duke mos pasur një mbështetje më të gjerë, personat LGBTIQ+ kanë gjetur mënyrat e tyre për të ndihmuar njëri-tjetrit. Regjisorja Arlinda Morina kujton periudhën “underground” që nga vitet 2000, me ç’rast gratë queer në atë kohë janë mbledhur në lokale dhe kanë diskutuar për problemet e tyre. Sipas Myrvetes, në fillet e lëvizjes LGBTIQ+ ishin vetëm dy gra lezbike që dolën haptazi dhe zëshëm. Lidhur me këtë çështje Rajmonda thekson se në shoqëri ku sundon patriarkaliteti është shumë e vështirë të funksionosh si aktivist për të drejtat e LGBTIQ+, duke marrë parasysh hezitimin e personave të tjerë për të shprehur haptazi orientimin e tyre seksual. “Kur ti flet në emër të një komunitetit, ti nuk je i zgjedhuri i popullit, por je i vetëzgjedhur”, tha ajo. Megjithatë, ajo mendon se jo të gjithë duhet të fokusohen vetëm në një lloj të aktivizmit, për arsye se disa të tjerë mund të merren me avokimin apo punën me komunitetin.

Përveç këtyre, arti mund të jetë një prej mënyrave përmes të cilave mund të kontribuojmë në çështjen LGBTIQ+. Arlinda Morina po mendon të punojë një film animacion i cili do të ketë në konotacion këtë temë. “Tash jam ma e lirë në mendim, ma e lirë me thonë çka po du. Atëherë nuk kam ditë shumë sene, nuk isha shumë e hapun me veten, tash jam shumë ma e hapur me veten edhe jam më e sigurtë në ata çka kom me bo tash e tutje për komunitetin” tha Morina. Ndër të tjera, ajo u shpreh se në projektet e saja të ardhshme do të merret ekskluzivisht me trajtimin e të drejtave dhe do t’i angazhojë personat LGBTIQ+ në filmat e saj.

Nevoja për avancimin dhe arritjen e kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët është shumë e madhe. A janë të mjaftueshme arritjet e deritanishme të lëvizjes LGBTIQ+  në Kosovë? Asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Se çka duhet të bëhet më shumë, Myrvete Bajrami shprehë opinionin e saj mbi adoptimin dhe martesat mes seksit të njëjtë, duke qenë se deri më tani është luftuar kundër diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+, tani është koha të avokohet për të drejtat civile. Në të njëjtën vijë mendimi është edhe Rajmonda Sylbije e cila po punon intensivisht për përfshirjen e martesave mes seksit të njëjtë në Kodin Civil të Kosovës dhe rregullimin e adoptimit të fëmijëve dhe trashëgimisë. Konceptet mbi gjininë janë dekonstruktuar. Aktivizmit në Kosovë i ka dhënë kahje dhe ngjyrë tjetër komuniteti transgjinor, për këtë Rajmonda dhe Myrvetja shprehen se përderisa në diskurs publik është vënë vëmendja tek transgjinorët lë të kuptohet se personat gej dhe lezbike pranohen shumë më shumë. Sidoqoftë, aktivizmi në Kosovë ka arritur në një fazë tjetër të zhvillimit, për shkak se tani flasim haptazi për këto të drejta, duke marrë parasysh faktin që këto çështje nuk kanë ekzistuar as si temë diskutimi më herët.