Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

IKD dhe RrGK: Prokuroria dhe Policia neglizhuan rastin e Sebahate Sopit

QIKA 17.3.2021

Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës kanë publikuar sot të gjeturat preliminare lidhur me rastin e vrasjes së Sebahate Sopit. Sipas tyre, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës nuk kanë përmbushur obligimet ligjore lidhur me rastin në fjalë i cili si pasojë e neglizhencës institucionale përfundoi me fatalitet.

“Ish-bashkëshorti i Sebahate Sopit edhe paraprakisht ishte mbajtur në paraburgim për dhunë në familje ndaj tani të ndjerës Sebahate Sopi, derisa ndaj tij kishte qenë në fuqi edhe një urdhër mbrojtje. Dhuna në familje në këtë rast ishte denoncuar në Prokurorin e Shtetit edhe më 3 mars 2021. Prokurori i këtij rasti, duke u mjaftuar me mungesën e gatishmërisë së tani të ndjerës për të akuzuar dhe dëshmuar në lidhje me ish-bashkëshortin e saj, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim procedural brenda kompetencave të tij, ku 11 ditë më pas, Sebahate Sopi ishte vrarë me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas IKD dhe RrGK,  Republika e Kosovës, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, ia ka shkelur tani të ndjerës të drejtën në jetë, si dhe ka dështuar në zbatimin e Konventës së Stambollit për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje.

“Për më tepër, ky mos veprim i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është në kundërshtim edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që përcakton se “dhuna në familje” është vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, pa marrë parasysh propozimin e të dëmtuarës”, thuhet në komunikatë.

Me qëllim të adresimit të llogaridhënies në këtë rast, IKD dhe RrGK kërkon nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që urgjentisht të pezullojnë Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Kujtim Munishi, dhe prokurorin e rastit, si dhe të themelojë një grup punues për të zbardhur këtë rast, i cili grup punues do të përbëhet nga një (1) prokuror, një (1) përfaqësues i viktimave, një (1) familjar apo përfaqësues i familjes dhe dy (2) anëtarë të shoqërisë civile.