Në vitin 2015, kompania Target ndaloi etiketimin e disa lodrave dhe produkteve si artikuj për vajza dhe djem, duke u shkëputur kështu nga emërtimet gjinore. Në vitin 2017, Shoqata e Lodrave zëvendësoi kategoritë “djalë” dhe “vajzë” me “kukulla e vitit”.
Kristin Morency Goldman, zëdhënësja e Shoqatës së Lodrave, tha se kompanitë e lodrave po i ikin klasifikimit të produkteve të tyre sipas gjinisë, në mënyrë që të mos ketë kufizime sa i përket blerjes së lodrave. Hasbro, kompani tjetër lodrash, ka ndryshuar marketingun e markave si Baby Alive, NERF dhe Easy-Bake për ti bërë ato më gjithëpërfshirëse sa i përket gjinisë. Ndërsa, në faqen e internetit të kompanisë Disney, mund t’i gjejmë 304 lodra për djem dhe 307 për vajza. Megjithatë, seti i lodrave Minnie Mouse Garden, kukulla Aurora gjenden si në seksionin e djemve poashtu edhe në atë të vajzave duke i kapërcyer ndarjet gjinore.
Në tetor të këtij viti, Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë, nënshkroi ligjin e Asamblesë 1084, i cili detyron shitësit të kenë seksione lodrash neutrale gjinore deri në vitin 2024. Ndërsa, Elizabeth Sweet, profesore e sociologjisë në Universitetin Shtetëror të San Jose, tha se në vitin 1975 më pak se 2% e lodrave kishin shënues të qartë gjinor. Sipas Rebecca Hains, profesore e medias dhe komunikimit në Universitetin shtetëror Salem në Massachusetts, në vitet 1980 u shfaq një marketing i ri i lodrave për fëmijë në televizor, duke ndarë lodrat sipas gjinisë dhe kështu duke përforcuar stereotipet gjinore, raporton CNN.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga kompania e lodrave LEGO, zbulohet se vajzat kanë gjashtë herë më shumë gjasa krahasuar me djemtë të imagjinojnë se shkencëtarët dhe atletët ishin burra sesa gra. Ndërsa, prindërit e secilës gjini kishin katër herë më shumë gjasa të inkurajonin djemtë të luanin me lojëra kompjuterike apo të merreshin me sport, ndërsa pesë herë më shumë t’i inkurajonin vajzat të vallëzonin dhe të visheshin. Të dhënat e hulumtimit tregojnë se 71% e djemve dhe 42% e vajzave kanë shprehur shqetësimin e tyre se mos do të tallen nga të tjerët nëse luajnë me lodra që nuk i përkasin gjinisë së tyre.