Inspektorati i Punës ka gjobitur në shumë prej 3000 eurosh ndërmarrjen “Trepça” për transferimet e pajustifikuara dhe pa konsultuar nevojat shëndetësore të punëtores Valdete Shabani.
Në bazë të dokumentacionit të prezantuar, vendimi liston një serë shkeljesh të Ligjit të Punës, përfshirë mos mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, mospërshtatjen e vendit të punës me gjendjen shëndetësore të punëtorit dhe mos pajisjen me kontratë pune.
Ky është vendimi i dytë në favor të së drejtave të Shabanit, pasi që kujtojmë se Gjykata Themelore në Mitrovicë, në vendimin e datës 13 janar 2025, pati vendosur që ta pranojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet Trepçës për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në pozitën të cilën e kishte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen Trepça që Valdeten ta rikthejë në vendin e punës si Shefe e Shërbimit logjistik dhe administrativ.
Lajmin për këtë vendim e ka bërë të ditur vet Shabani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku vendimin e ka konsideruar si hap të rëndësishëm drejt drejtësisë.
“Pas një vendimi të mëparshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në favorin tim, sot mora edhe vendimin nga Inspektorati i Punës, i cili ka shqiptuar një gjobë prej 3000 eurosh për vendimet e marrura jo ligjore nga Ud.kryeshefi ndaj ndërmarrjes që më ka bërë padrejtësi duke me transferuar nga një vend në vende tjera të punës.”, thuhet në postim.
Valdete Shabani ishte lënduar në vendin e punës në këmbën në të cilën paraprakisht kishte kryer një ndërhyrje kirurgjike, duke vendosur implant në një pjesë të saj – i cili që nga ajo kohë ia ka kufizuar ecjet e gjata, qëndrimin e gjatë në këmbë, vozitjen e veturës, peshat e rënda, qëndrimin në hapësira të ftohta e specifika të ngjashme.
Lëndimi, për çka ishte shtrirë në spital, kishte ndodhur pas transferimet në vende të punës që nuk i merrnin parasysh nevojat e saj shëndetësore.
Postimin e plotë dhe vendimin e Inspektoratit e gjeni këtu.