Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Instalacioni “Mendoj për Ty” shfaqet para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg

QIKA 23.6.2025

Instalacioni “Mendoj për ty”, i cili i kushtohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është shfaqur para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg të enjten. Punimi i  artistes Alketa Xhafa-Mripa nga Kosova është shfaqur më 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte të Armatosura.

Dhjetëra fustane të varura në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u shfaqën para ndërtesës së Këshillit të Evropës.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shkroi në Facebook se, duke e sjellë këtë instalacion në zemër të Evropës, “Mendoj për Ty” është shndërruar “në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, dhe shërben si një rikujtim se eliminimi i dhunës seksuale në konflikte është i mundur vetëm nëse i japim mbështetje të pakushtëzuar të mbijetuarave dhe vendosim autorët përballë drejtësisë”.

Ajo tha se përurimi zyrtar i instalacionit do të mbahet më 23 qershor, gjatë sesionit veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prani të deputetëve të Asamblesë, përfaqësueseve të përhershëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve më të larta të organizatës.

Ndërsa, më 27 qershor, instalacioni do të vendoset në një nga hapësirat publike më të frekuentuara të qytetit të Strasburgut, në Rue des Hallesbardes, duke e sjellë mesazhin në zemër të veprës edhe më afër qytetarëve, sipas njoftimit.

Kujtojmë se numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm rreth 2.000 persona.