Misioni për mbledhjen e fakteve (FFM) raportoi se regjimi Iranian kreu krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, burgosje, torturë, përdhunim dhe forma të tjera të dhunës seksuale, persekutim, zhdukje me forcë dhe akte të tjera çnjerëzore, gjatë shtypjes brutale të protestave “Grua, Jetë, Liri” në vitin 2022.
Këto protesta kishin shpërthyer si kundërpërgjigje ndaj vdekjes në paraburgim policor të Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nën dyshimin se mbante hixhabin e detyrueshëm në mënyrë të gabuar.
Para Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, FFM raportoi se 551 njerëz – prej të cilëve 68 fëmijë, u vranë nga forcat e sigurisë kryesisht me armë zjarri. Përdorimi i forcës vdekjeprurëse gjatë protestave kryesisht paqësore ishte i paligjshëm dhe goditjet ishin drejtuar qëllimshëm kah gratë dhe vajzat, të cilat u qëlluan nga afër në fytyrë dhe organe gjenitale.
“Qeveria iraniane ka krye një sërë aktesh të gjera, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme që individualisht përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut të drejtuara kundër grave, vajzave dhe personave që mbështesin barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe vajzave dhe, në mënyrë kumulative, përbëjnë atë që misioni vlerëson si persekutim gjinor në kontekstin e protestave dhe shtypjes së të drejtave themelore të lidhura me të”, tha Sara Hossain, kryetare e FFM-së.
Human Rights Watch vlerëson se janë arrestuar më shumë se 20 mijë protestues. Në raport thuhet se disa nga të arrestuarit dhe të ndaluarit ishin subjekt i torturave, rrahjeve, përdhunimeve, goditjeve elektrike, djegieve, lakuriqësisë së detyruar dhe sulmeve seksuale, përfshirë edhe fëmijët.
Ekspertët kanë hulumtuar edhe mbi vdekjen e 22 vjeçares në paraburgim policor dhe kanë mohuar kategorikisht versionin zyrtar se vdekja e saj ishte natyrore. “Misioni ka zbuluar se zonja Amini iu nënshtrua dhunës fizike që çoi në vdekjen e saj,” thuhet në raport, duke përmendur provat e traumave të shkaktuara në trupin e saj.
Përveç se vdekja e Aminit është e paligjshme, raporti sygjeron se autoritetet iraniane ndërmorën hapa aktivë për të errësuar të vërtetën, ngacmuan e frikësuan familjen e saj dhe kanë ndjekur penalisht avokatin e familjes dhe tre gazetarë që raportuan për vdekjen e saj.
Abuzimet më të rënda u kryen në vendet jozyrtare të paraburgimit të drejtuara nga Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit dhe Ministria e Inteligjencës.
Autoritetet iraniane të cilët kishin refuzuar të merrnin pjesë në hetim dhe kishin shkaktuar pengesa gjatë mbledhjes së të dhënave, i refuzuan të gjeturat e raportit dhe atë e quajtën si të pavërtetë dhe me shtrembërime të fakteve.