Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Iran ka pezulluar zbatimin e “ligjit për hixhabin dhe dëlirësinë”, i cili pritej të hynte në fuqi nga e premtja e kaluar. Presidenti Massoud Pezeshkian e quajti legjislacionin “të paqartë dhe në nevojë për reformë”, duke sinjalizuar synimin për të rivlerësuar masat e tij.
Ky ligj i propozuar parashihte ashpërsimin e dënimeve për gratë dhe vajzat për ekspozimin e flokëve, parakrahëve ose këmbëve. Këto dënime përfshinin dënime më të rënda dhe burgim deri në 15 vjet për shkelësit përsëritës dhe për këdo që do të tallej me rregullat, shkruan BBC News. I njëjti po ashtu detyronte bizneset që të raportojnë këdo që shkel rregullat.
Aktivistët për të drejta të njeriut ishin alarmuar dhe kishin kritikuar këtë ligj. Amnesty International tha se “autoritetet iraniane po kërkonin të rrënjosnin sistemin e tyre represiv”.
Gjatë zgjedhjeve presidenciale në korrik, kandidati i atëhershëm Pezeshkian kritikoi hapur trajtimin e grave iraniane për çështjen e hixhabit. Ai premtoi të mos ndërhyjë në jetën e tyre personale.
Debati për hixhabin mori vrull të mëtejshëm javën e kaluar kur Parastoo Ahmadi, një këngëtare e njohur iraniane, u arrestua pasi transmetoi në YouTube një koncert virtual pa audiencë të pranishëm, ndërsa nuk mbante hixhab.
Koncerti u bë shpejt viral dhe arrestimi i Ahmadit dhe anëtareve të bandës shkaktoi reagime të shumta. Pas protestave dhe presionit publik, autoritetet i liruan të nesërmen.
Javën e kaluar, më shumë se 300 aktivistë iranianë të të drejtave, shkrimtarë dhe gazetarë dënuan publikisht ligjin e ri të hixhabit, duke e quajtur atë të paligjshëm e të pazbatueshëm dhe i kërkuan Pezeshkian të respektojë premtimet e tij elektorale.
Megjithatë, mbështetësit e legjislacionit i kanë bërë presion presidentit për të ecur përpara, duke kritikuar hezitimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe duke kërkuar që ai të nënshkruajë ligjin për të hapur rrugën për zbatimin e tij.