Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Irani po përdor dronë për të kontrolluar zbatimin e kodit të veshjes te gratë

QIKA 17.3.2025

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara tregojnë se Irani ka filluar përdorimin e dronëve dhe teknologjive digjitale për t’i kontrolluar gratë që refuzojnë të zbatojnë kodin e rreptë të veshjes të Republikës Islame.

Hetuesit thonë se zyrtarët e sigurisë iraniane po përdorin një strategji të quajtur “vigjilantizëm i sponsorizuar nga shteti” për të inkurajuar njerëzit të përdorin aplikacione telefonike për të raportuar gratë të cilat shkelin kodin e veshjes në automjete private, taksi, ambulanca, metro, dhe autobus, raporton BBC.

Për gratë që kundërshtojnë rregullat, pasojat janë të rënda si arrestim, rrahje, dhe madje përdhunim gjatë paraburgimit.

Në raport gjithashtu theksohet përdorimi në rritje i dronëve dhe kamerave të sigurisë për të monitoruar përdorimin e hijabit në Teheran dhe në jug të Iranit.

Në Universitetin Amirkabir në Teheran, autoritetet instaluan software për njohje të fytyrës në hyrje të kampusit për të identifikuar gratë që nuk mbajnë hijabin, thuhet në raport.

“Përdoruesit e aplikocioneve telefonike mund të shtojnë vendndodhjen, datën, orën dhe numrin e targës së automjetit në të cilin ndodhi shkelja e supozuar e hijabit të detyrueshëm, e cila më pas regjistron automjetin në internet, kështu duke alarmuar policinë. Një mesazh tekstual dërgohet pastaj tek pronari i regjistruar i automjetit, duke i paralajmëruar se janë identifikuar duke shkelur ligjin e hijabit të detyrueshëm. Nëse nuk respektohet paralajmërimi, automjetet e tyre mund të konfiskohen”, thuhet në raport.

Hetuesit e OKB-së intervistuan pothuajse 300 viktima dhe dëshmitarë, dhe gjithashtu shqyrtuan thellësisht sistemin gjyqësor të Iranit, për të cilin ata thanë se ka mungesë të madhe të pavarësisë individuale. Sipas tyre, viktimat e torturës dhe shkeljeve të tjera përjetuan abuzim, kurse familjet e tyre u intimiduan sistematikisht.

Raporti gjithashtu ka vërtetuar raste të tjera të dhunës seksuale gjatë paraburgimit, duke theksuar rastin e një gruaje të arrestuar, e cila u rrah rëndë, iu nënshtrua dy ekzekutimeve të rreme, u dhunua dhe më pas u dhunua nga një grup.