Qeveria italiane ka miratuar një projektligj që për herë të parë përfshin në legjislacionin penal përkufizimin ligjor të femicidit dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.
Ky hap synon të adresojë vrasjet dhe dhunën ndaj grave në Itali, duke forcuar masat kundër krimeve me bazë gjinore, si përndjekja dhe pornografia e hakmarrjes.
“Ky është një projektligj jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili e përfshin krimin e femicidit në sistemin tonë juridik si një vepër penale autonome, duke e dënuar me burgim të përjetshëm”, tha kryeministrja Giorgia Meloni.
Së fundmi, femicidi është shfaqur si një problem sistematik thellësisht i rrënjosur në kulturën patriarkale të Italisë, me disa incidente të dhunshme që kanë ngjallur debatin mbi krimet me bazë gjinore.
Veçanërisht tronditëse ishte vrasja e Giulia Cecchettin, studentja 22‑vjeçare që u ther brutalisht nga ish‑i dashuri i saj, Filippo Turetta, në nëntor 2023. Në dhjetor të vitit të kaluar, Turetta u dënua me burgim të përjetshëm.
Hulumtimet e fundit tregojnë se, edhe pse numri i vrasjeve në përgjithësi ka rënë në vend, shkalla e femicideve mbetet e njejtë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Italisë regjistruan 113 femicide gjatë vitit 2024, prej të cilave 99 u kryen nga të afërm, partnerë ose ish‑partnerë.
Organizata për të drejtat e grave Non Una di Meno e cila çdo vit organizon protesta në qytete të ndryshme të Italisë dhe një grevë njëditore për Ditën Ndërkombëtare të Grave, ishte shumë kritike ndaj projektligjit.
“Është një veprim propagandistik”, tha aktivistja Serena Fredda. “Femicidi është vetëm maja e ajsbergut, ne duhet të punojmë për të eliminuar diskriminimin që prek gratë që nga shkolla deri në vendin e punës”.