Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Izraeli po shënjestron gratë në Gaza qëllimisht për të ndalur riprodhimin

QIKA 30.7.2025

Gratë dhe vajzat në Gaza po mbajnë peshën më të rëndë dhe më çnjerëzore të ofensivës së vazhdueshme ushtarake izraelite. Ato po shënjestrohen në mënyrë të qëllimshme për të ndalur vazhdimësinë e ekzistencës së palestinezëve.

Reem Alsalem, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për dhunën ndaj grave dhe vajzave, paralajmëron se gratë palestineze dhe vajzat janë shënjestra të drejtpërdrejta të sulmeve, duke theksuar se “gratë dhe vajzat palestineze bartin premtimin e vazhdimësisë së jetës palestineze.”

Sipas saj, kjo mund të jetë pjesë e një strategjie për të ndërprerë riprodhimin dhe ekzistencën e popullit palestinez, një akuzë që përforcon thirrjet e ekspertëve të OKB-së për të hetuar krime lufte dhe akte që përbëjnë gjenocid, raporton AlJazeera.

Në të njëjtën kohë, UN Ëomen ka ngritur alarmin se më shumë se një milion gra dhe vajza në Gaza po përballen me uri ekstreme, dhunë dhe abuzim. Shërbimet bazë janë në kolaps total dhe gratë janë të detyruara të përdorin strategji mbijetese të rrezikshme, siç është zierja e mbetjeve ushqimore për të ushqyer fëmijët ose dalja në rrugë në kërkim të ujit, me rrezik të lartë për t’u vrarë.

“Gratë dhe vajzat në Gaza po përballen me një zgjedhje të pamundur: të vdesin nga uria në strehimoret e tyre, ose të dalin për të kërkuar ushqim dhe ujë me rrezik të madh për jetën. Fëmijët e tyre po vdesin nga uria para syve të tyre. Kjo është çnjerëzore, e papranueshme dhe duhet të ndalet menjëherë”, deklaroi Sima Bahous, Zëvendës-Sekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe Drejtore Ekzekutive e UN Women.

Deri më tani, më shumë se 28,000 gra dhe vajza janë vrarë në Gaza. Organizatat lokale të drejtuara nga gratë raportojnë se mungojnë furnizimet bazë për shëndetin dhe higjienën, përfshirë produktet menstruale dhe mjetet për kujdesin personal. Në mungesë të ndihmës humanitare dhe nën bombardime të pandërprera, gratë në Gaza janë zhveshur nga çdo formë dinjiteti dhe sigurie.

Organizatat ndërkombëtare humanitare dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje urgjente për një armëpushim të menjëhershëm, qasje të pakufizuar për ndihmë humanitare, si dhe një zgjidhje paqësore dhe të drejtë për të garantuar siguri dhe jetë për të gjithë popullin palestinez.