Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Japonia fillon shitjet provë të kontraceptivëve emergjentë pa recetë

QIKA 15.12.2023

Në Japoni ka filluar zbatimi i shitjeve provë të pilulave kontraceptive emergjente pa recetë në 145 farmaci të vendit. Deri më tani këto pilula ishin në dispozicion vetëm në një klinikë apo farmaci dhe shiteshin vetëm me recetë të mjekut.

Shitja e ilaçit pa recetë u diskutua për herë të parë në një panel të Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2017 dhe nuk gjeti mbështetjen e zyrtarëve, meqë sipas tyre qasja e lehtë në pilulën e mëngjesit do të inkurajonte përdorimin e papërgjegjshëm të ilaçit. Por ky pilot-projekt filloi të zbatohej pasi në një konsultim publik ministria gjeti mbështetje dërrmuese (97%) për ta vënë atë në dispozicion pa recetë.

Sipas rregullave ekzistuese, gratë, duke përfshirë viktimat e sulmit seksual, duhet të shkojnë në klinikë ose spital për një recetë për të marrë kontracepsionin emergjent.

Grupi që organizoi fushatën ‘Projekti i Kontraceptivëve Emergjentë nëpër Farmaci’ i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që ta vë në dispozicion pilulën plotësisht dhe shpejt në të gjitha farmacitë.

Poashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që pilulat emergjente, të njohura zakonisht si pilulat e mëngjesit, të përfshihen në mënyrë rutinore në të gjitha programet kombëtare të planifikimit familjar.

Pilulat NorLevo dhe versioni gjenerik levonorgestrel funksionojnë brenda 72 orëve pas seksit të pambrojtur dhe kanë nivel të efikasitetit rreth 80%.

​Derisa në nivel global, kontraceptivët emergjentë pa recetë mund të blihen në rreth 90 vende, Japonia do të procedoj tutje varësisht nga rezultati i shitjeve-provë.