Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Japonia shpërndau broshura ku iu kërkohet grave shtatzëna të kujdesen për burrat e tyre

QIKA 11.8.2023

Qyteti Onomichi, në prefekturën e Hiroshimës të Japonisë, kreu një anketë publike në vitin 2017 që u përdor për të krijuar broshura për gratë shtatzëna.

“Gratë mund t’i irritojnë burrat e tyre nëse janë të zëna duke u kujdesur për fëmijët ose kur nuk kryejnë punët e shtëpisë”, thuhet në broshura, ku gratë këshillohen që “të mos zemërohen pa arsye”.

“Ka dallime në mënyrën se si burrat dhe gratë ndjejnë dhe mendojnë. Një nga arsyet për këtë është ndryshimi strukturor në trurin e burrave dhe grave. Dihet që burrat veprojnë në bazë të teorive, ndërsa gratë në bazë të emocioneve. Gjëja e rëndësishme është të kuptojmë dallimet e njëri-tjetrit dhe t’i ndajmë mirë rolet”, thuhej tutje në broshurë.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Yukihiro Hiratani, publikoi një kërkim-falje në faqen e bashkisë, duke thënë se “qeveria kishte ndaluar shpërndarjen e fletushkave sepse ato përmbajnë tekst që promovon qëndrime dhe praktika që forcojnë stereotipet gjinore”.

Raportet e mediave lokale këtë javë tërhoqën vëmendjen ndaj këtyre mesazheve të broshurës. “Është mjaft keq që autoritetet lokale po transmetojnë idenë se kujdesi për fëmijët është puna e nënës. Unë do të doja që autoritetet lokale të rrisnin ndërgjegjësimin mbi idenë se baballarët janë gjithashtu faktor kyç në kujdesin ndaj fëmijëve”, shkroi një aktiviste në Twitter.

Barazia gjinore në sferën politike të Japonisë është një prej më të ulëtave në botë, me gratë që përbëjnë vetëm 10% të ulëseve në parlament. E ndërsa numri i grave në fuqinë punëtore është rritur vitet e fundit, ato përbëjnë vetëm 12.9% të pozitave të lartave – krahasuar me 41% në Shtetet e Bashkuara dhe 43% në Suedi.