Ka vdekur pionierja e karikaturës Luljeta Kujtimi Goranci, e cila përveçse karikaturistja e parë grua në Kosovë ishte edhe figurë e rëndësishme e arteve pamore në vend. Veprat e saj trajtojnë tematika feministe, politike e shoqërore, dhe përfshijnë edhe reagime të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale si pandemia apo ndryshimet klimatike ndër të tjera.
“Për më shumë se pesë dekada, ajo i kontribuoi skenës artistike me një praktikë multidisciplinare, duke i dhënë formë dhe ngjyrë realitetit ku vepronte, dhe zërit të grave përmes karikaturës, ilustrimit, qeramikës dhe pikturës. Lindur dhe rritur në Prizren, qytet që mbeti frymëzim i përhershëm për krijimtarinë e saj, Luljeta shprehej: “Prizreni është motivi im i përjetshëm. Sa herë mendon që e ke kapur tërësinë e tij, hapen edhe dhjetëra rrugë e motive të reja.” shkruan Galeria Kombëtare e Kosovës.
Goranci ka ekspozuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Vojvodinë dhe më gjerë, duke prezantuar një praktikë që ishte përgjigje ndaj kohës dhe sfidave të saj.
Përveç kontributit të saj si artiste, Goranci ishte edhe një mentore dhe aktiviste e përkushtuar.
Galeria e kujton si dikë që besonte thellësisht se arti nuk duhet të ushqejë urrejtje, por të ngjallë tolerancë, dashuri dhe frymëzim, e që ka lënë trashëgimi të çmuar pas vetes.