Sot në Ferizaj u mbajt protestë pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë, si revoltë ndaj dhunës dhe femicidit në Kosovë dhe dështimit institucional.
Protesta erdhi si pasojë e vrasjes së vajzës 18 vjeçare, e cila dy ditë më parë u dërgua pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt. Për vdekjen e saj të dyshuar kryesor janë një 32-vjeçar dhe një 29-vjeçar. Të dyshuarit më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me tabela nga Zvicra.
Ky rast është veç shpërfaqje e mendësisë dhe praktikave patriarkale dhunuese të cilat po ushqehen nga të gjitha institucionet private e publike në Kosovë, për çka qindra njerëz sot u mblodhëm të kundërshtojmë.
Kërkesat konkrete të protestës ishin që adresimi i fenomenit të femicidit të bëhet ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit, dënimi maksimal për vrasësit, siguria për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat si dhe trajtimi i drejtë i dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Republikës së Kosovës.