Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kërkohet shkarkimi i Emilija Rexhepit

QIKA 25.3.2021

“Dylberizm” dhe “Replikë” kërkojnë nga Kryeministri Kurti shkarkimin e menjëhershëm të Emilija Rexhepit nga pozita e zv. Kryeministres së tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut. Kjo kërkesë vjen si pasojë e deklaratës që kishte dhënë Rexhepi kundër martesave mes gjinisë së njëjtë.

Reagimi i plotë nga Dylberizm dhe Replikë:

Emilija Redžepi nga partia NDS gjatë vitit 2019 në intervistën dhënë për Kallxo.com, është deklaruar se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë. Kjo dëshmon që Zëvendëskryeministrja e Kosovës, e caktuar për të punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, ka qëndrime homofobike dhe nuk beson në barazi për të gjithë njerëzit. Emërimi i një homofobeje në pozitën e zv. Kryeministres për çështje të pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është tejet shqetësuese dhe e rrezikshme për respektimin e të drejtave të njeriut, më saktësisht të drejtat e komunitetit LGBTIQ+.

Duke pasur parasysh shtypjen sistematike dhe rrethanat homofobike e transfobike me të cilat komuniteti LGBTIQ+ përballet çdo ditë në shoqërinë tonë, emërimi i saj në këtë pozitë vetëm sa e rritë shtypjen dhe diskriminimin që i bëhet personave LGBTIQ+ nga institucionet dhe shoqëria kosovare, dhe lë hapësirë për shqetësim të kthimit mbrapa të punës shumëvjeçare të institucioneve dhe shoqërisë civile mbi avancimin e të drejtave LGBTIQ+ në vend.

Ndonëse ka bindje të ndryshme për martesën si insitucion, ne besojmë se çdo person duhet të jetë i barabartë para ligjit dhe t’u ofrohen mundësi të njëjta, të gjithëve pa dallim.

Ne si Dylberizm dhe Replikë kërkojmë nga Kryeministri Kurti shkarkimin e menjëhershëm të Emilija Redžepi nga kjo pozitë, si dhe emërimin e një personit që kauzën për të drejtat e njeriu e ka të përbrendësuar në mendime dhe veprime, pa përjashtime.

Trajtimi i njëjtë ligjor dhe transformimi feminist i institucioneve për të lejuar liri më të madhe të shprehjes jashtë roleve tradicionale gjinore duhet të jetë prioritet i çdo qeverie e cila thirret në vlera progresive demokratike dhe në barazi sociale.

Photo: BIRN