Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kodi i ri penal i talibanëve toleron dhunën, bindjen dhe aparteidin gjinor

QIKA 5.2.2026

Talibanët kanë miratuar një kod të ri penal që e riformëson sistemin ligjor të Afganistanit, duke toleruar dhunën, kriminalizuar mospajtimin/kundërshtimin, legalizuar skllavërinë dhe duke ua mohuar grave të qenit person individual.

Më 7 janar, udhëheqësi i talibanëve, Hibatullah Akhundzada, miratoi dokumentin “Parimet penale të gjykatave të talibanëve”, një akt me 119 nene që hyri në fuqi menjëherë, pa asnjë njoftim publik. Sipas këtij rregullimi, bindja absolute ndaj udhëheqësit suprem të talibanëve është e detyrueshme, kurse mosbindja dënohet me rrahje me kamxhik ose burgim, raporton Feminist Majority. 

Kodi penal gjithashtu ndan shoqërinë në katër klasa dhe i njeh individët si “të lirë” ose “të skllavëruar”, me ndëshkime më të rënda për ata që konsiderohen me status më të ulët.

Nenet 32 dhe 34 të kodit penal trajtojnë marrëdhënien mes burrit dhe gruas. Këto nene përcaktojnë se një burrë ka të drejtë të rrah rëndë gruan dhe fëmijët e tij, sa kohë që nuk shkakton fraktura, plagë apo mavijosje, dhe vetëm në rastet kur gruaja arrin ta dëshmojë këtë, burri do të dënohet me vetëm 15 ditë burg. Por nëse një grua shkon në shtëpinë e prindërve të saj pa lejen e bashkëshortit dhe nuk kthehet, si ajo ashtu edhe babai i saj do të dënohen me tre muaj burg.

Që nga marrja e pushtetit në gusht të vitit 2021, Talibanët i kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e grave. Ato refuzohen në klinikat shëndetësore nëse paraqiten pa një kujdestar burrë. Gratë janë të ndaluara të bëhen mjeke, por në disa zona u ndalohet edhe të trajtohen nga mjekë burra, duke i lënë shumë prej tyre pa asnjë kujdes shëndetësor.

UN Women paralajmëron se deri në fund të vitit 2026, vdekshmëria amtare mund të rritet me 50% dhe martesa e fëmijëve me 25%. Gati 80% e grave afgane tashmë janë të përjashtuara nga arsimi dhe puna.

Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se paqartësia e kodeve të reja lejon që ato të përdoren si armë kundër kundërshtarëve politikë, pakicave fetare, dhe grave, duke e konfirmuar këtë hap si një nga shumë përpjekjet e Talibanëve për të forcuar më tej kontrollin e tyre të plotë mbi jetët e afganëve.