Katër nga rrjetet më të mëdha sociale në botë janë zotuar të rishikojnë sistemet e tyre të moderimit me qëllim që të trajtojnë abuzimin e grave në platformat e tyre. Facebook, Google, Twitter dhe TikTok kanë nënshkruar premtimin për të rregulluar dobësitë e vazhdueshme në mënyrën se si ata trajtojnë dhunën me bazë gjinore në internet.
Njoftimi vjen përmes një forumi global për barazi gjinore të thirrur nga UN Women në Paris. Ky njoftim mbështetet nga një letër e hapur e nënshkruar nga ish-krerët e shteteve dhe udhëheqësit globalë si Michelle Bachelet, Graça Machel, Annie Lennox, Ashley Judd, Gemma Chan, Maisie Williams etj.
Sipas një studimi të vitit 2021 nga njësia e inteligjencës në The Economist, më shumë se një e treta e grave në të gjithë botën kanë përjetuar abuzim në internet, ndërsa te moshat më të reja ky numër është edhe më i madh. Të katër kompanitë e teknologjisë janë zotuar të trajtojnë atë abuzim duke u përqendruar në dy fusha kryesore të platformave të tyre: paaftësia e grave për të kontrolluar se kush mund të komentojë në postimet e tyre; dhe mungesa e sistemeve të qarta dhe të besueshme për raportimin e abuzimit në internet, raporton The Guardian.
“Për shumë kohë, gratë janë ngacmuar, sulmuar dhe heshtur në hapësirat në internet. Ky është një kërcënim i madh për përparimin e barazisë gjinore. Me burimet dhe arritjet e tyre, këto katër kompani kanë fuqinë për të frenuar këtë abuzim dhe për të përmirësuar përvojat në internet për qindra miliona gra dhe vajza”, tha menaxherja e lartë e politikës së FWWW (Fondacioni i World Wide Web), Azmina Dhrodia.
“Tani, këto kompani kanë mundësinë të punojnë së bashku me ekspertë nga sektorë të ndryshëm për të krijuar një zgjidhje që mund të çojë në ndryshime të vërteta, në të gjithë industrinë. Angazhimet që ato kanë bërë sot duhet të festohen si një fitore e madhe dhe të shërbejnë si një shtytje për kompanitë për të trajtuar abuzimin ndaj grave si një përparësi kryesore “, shtoi ajo.