Listës së furnizimit të elementeve esenciale nga komuna e Obiliqit në objektet zyrtare tanimë i janë shtuar edhe pecetat higjenike.
Që nga java e kaluar, me to janë furnizuar ambientet zyrtare administrative dhe QKMF e qytetit. E në plan për tu furnizuar mbeten edhe shkollat e kësaj komune, që nga shtatori i këtij viti.
“Ne kemi grupmosha të reja në shkolla fillore ku edhe veç fillon procesi, në moshën 10-13 fillon procesi fiziologjik i mestracioneve dhe atë ditë, njëra nga to mund të shkojë në shkollë, e ka atë shqetësim dhe nuk është e përgaditne,” ka thënë nënkryetari i Komunës, Ibush Mjekiqi.
Nxënëset e kësaj komune dhe punëtoret e administratës e kanë mirëpritur këtë vendim, raporton Dukagjini.
“E kemi bërë furnizimin muajin e kaluar dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga gratë e komunës tonë. E kemi parë si të domosdoshme për gratë në komunën tonë që të kenë në depon e administratës, peceta higjenike. I kemi marrë rreth 700 pako, vitin e ardhshëm e kemi më lehtë për të parë se sa shkojnë,” deklaroi Linda Bekteshi, drejtoreshë e administratës.
Vendimi për t’i furnizuar objektet e institucioneve publike brenda komunës me peceta higjenike menstruale ishte arritur në fundvit dhe sipas parallogaritjeve, kostoja vjetore e pecetave do të jetë rreth 4 mijë euro.