Ministria e Familjes dhe Barazisë Gjinore në Korenë e Jugut do të nisë një projekt për të ofruar peceta higjienike falas në hapësirat publike, në mënyrë që të gjitha gratë dhe vajzat të kenë qasje në produktet menstruale.
Ndërkohë që programet ekzistuese u ofrojnë kupona mujore në vlerë prej 14,000 won (8 euro), qytetarëve me të ardhura të ulëta, të moshës 9 deri në 24 vjeç, plani i ri parashikon gjithashtu vendosjen e shpërndarësve të pecetave higjienike në hapësira publike për t’u përdorur nga kushdo që ka nevoje, raporton Korea Times.
“Ministria do të zgjedhë 10 rajone për pilot-programin, duke marrë parasysh faktorë si madhësia e popullsisë dhe mundësitë e projektit”, tha Won Min-kyung, Ministre e Barazisë Gjinore dhe Familjes. Po ashtu, ministria do ta implementojë këtë program me një buxhet prej 3 milionë won (1,747.02 euro), të ndarë nga qeveria.
Pecetat higjienike do të vendosen në hapësira publike, siç janë qendrat e shërbimeve komunitare, qendrat e shëndetit publik dhe qendrat familjare. Po ashtu, do te furnizohen zonat rurale, bujqesore dhe ato te peshkimit ne menyre qe te permiresohet qasja per banoret e fshatrave.
Kohë më parë, Presidenti Lee Jae Myung ngriti shqetësime në lidhje me çmimet relativisht të larta të pecetave higjenike në Kore të Jugut krahasuar me tregjet e huaja, duke e shtyrë industrinë të ulte çmimet dhe të prezantonte produkte të tilla si “pecetat menstruale 100 won (0.058 Euro)”.
Lee ngriti gjithashtu shqetësime në lidhje me sigurinë e produkteve. “Edhe pse problemi kryesor është që pecetat janë të shtrenjta, është po ashtu e rëndësishme të konsiderohet edhe siguria e tyre”.
Oh Yu-kyung, komisioner i Ministrisë së Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave, tha se të gjitha pecetat menstruale vlerësohen sipas të njëjtave standarde sigurie pavarësisht çmimit. “Kur çmimet janë të ulëta, njerëzit kanë tendencë të shqetësohen për sigurinë, por të gjitha peceta menstruale vlerësohen sipas kritereve të njëjta të sigurisë”, shtoi ai.