Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kosova marshoi për barazi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

QIKA 9.3.2022

Përmes aksioneve simbolike e protestave në rrugë, në qytete të shumta të Kosovës dje u shënua 8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Në Prishtinë marshi tashmë tradicional i organizuar nga Kolektivi Marshojmë S’festojmë, filloi në orën 10:00 para Pallatit të Drejtësisë në Hajvali, duke vazhduar më pas me ecje deri tek Qeveria e Kosovës.

Qytetarë të shumtë iu bashkuan thirrjes së aktivistëve feministë për të marshuar për barazi gjinore e kundër shtypjes e diskriminimit ndaj grave. Tema e marshit për këtë vit trajtoi femicidin, si fenomen i cili është rritur dukshëm në Kosovë. Fillimi i vitit 2022 u shënua me një rast të femicidit, ndërsa sipas të dhënave të Policisë që nga viti 2010, 48 gra janë vrarë nga burrat.

“Marshojmë s’festojmë”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Gjykata i ka duart me gjak”, “Burri dhunon, gjykata arsyeton”, ishin vetëm disa nga sloganet e shumta gjatë protestës.

Poashtu, 48 palë këpucë u vendosën në përkujtim të 48 grave të vrara nga burrat që nga viti 2010 në Kosovë. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e tyre si dhe dashurinë e kujtimin që ne ruajmë për to. “Këpucët e Kuqe” është fushatë kundër dhunës që përjetojnë gratë në shoqëri e familje, e cila filloi në vitin 2009 në Meksikë dhe që nga ajo kohë qytetet e botës mbushen me këpucë të kuqe çdo 8 mars për të kërkuar barazi e drejtësi për gratë. Ky vit është viti i parë që edhe Kosova i’u bashkëngjit kësaj nisme.

Prishtinë. ©Fjolla Besimi

Mitrovicë

Gjilan. ©Shpetim vokshi