Një studim i bërë nga Industry Super Australia (ISA), tregon se gratë do të përfitonin deri në 118,000 dollarë më shumë në pension nëse subvencionet për kujdesin ditor të fëmijëve do të rriteshin në mënyrë që të bëhej më e përballueshme pagesa, raporton The Guardian.
Gratë marrin pension me një mesatare prej një të tretës më pak se burrat për shkak së kohës së shpenzuar jashtë fuqisë punëtore duke u kujdesur për fëmijët. Hulumtimi tregoi se kjo ndihmë do të ndihmonte në mbylljen e këtij hendeku gjinor mes burrave dhe grave.
Për këtë raport, firma e kontabilitetit Deloitte modeloi efektin e rritjes së subvencionit të kujdesit për fëmijët nga 85% në 95% për familjet me të ardhura më të ulëta, sipas raportit, ndryshimi do të zvogëlojë gjithashtu varësinë nga pensionet dhe do të rrisë tatimin mbi të ardhurat me 2.1 miliardë dollarë në vit, deri në vitin 2050.
Gjithashtu, kjo firmë zbuloi se gratë që kanë pagë mesatare do të kishin rritje deri në 118,000 dollarë më shumë në pension, nëse do të punonin pesë ditë në javë dhe jo vetëm dy.
“Ta bësh kujdesin ditor të fëmijëve më të përballueshëm, ndikon direkt në rritjen e kursimeve të pensionit, zvogëlon hendekun gjinor dhe ulë kostot e pensioneve në të ardhmen”, tha drejtorja e ISA, Georgia Brumby.