Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez i Kosovës, në partneritet me The Sorority kanë prezantuar aplikacionin The Sorority, i cili është aplikacioni i parë ndërkombëtar i komunitetit të mbështetjes, ndihmës dhe sigurisë, të dedikuar për gratë dhe personat që janë viktima të dhunës, ngacmimeve apo frikësimeve, si në hapësirën publike ashtu edhe në atë private.
Ky aplikacion është mjet konkret dhe falas i ndihmës së ndërsjellë dhe i luftës për barazi gjinore, siguri dhe respekt. Sipas një matjeje të brendshme, 94% e përdorueseve deklarojnë se ndihen më të sigurta në hapësirën publike falë këtij aplikacioni të shtrirë në të gjithë botën.
Ky aplikacion, në përputhje me legjislacionin evropian për mbledhjen dhe mbrojtjen e të dhënave mundëson:
– dërgimin e një sinjali të menjëhershëm te anëtaret që ndodhen afër;
– qasje në një rrjet solidar, gati të ndërhyjë kudo dhe në çdo moment;
– kontaktimin e shpejtë të shërbimeve lokale të emergjencës;
– informimin për vendet e sigurta ku mund të strehohen;
– raportimin e rasteve të ngacmimeve në transport, në rrugë apo në punë;
– përfitimin nga informacionet dhe burimet e besueshme për procedurat e ndihmës.
The Sorority është aplikacion i cili është zhvilluar fillimisht në Francë dhe është mbështetur nga shumë partnerë publikë e privatë, ku sot ky aplikacion bashkon një komunitet prej mbi 370 000 anëtare të angazhuara për të ndihmuar njëra tjetrën në raste të situatave të dhunës.
Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez i Kosovës, bashkë me aleatët publikë e privatë që promovojnë hapësirat e sigurta në Kosovë Kosovës mbështesin zgjerimin e këtij aplikacioni në territorin e Kosovës.
Aplikacioni, i cili u lancua zyrtarisht në Kosovë më 25 nëntor – në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, tashmë është funksional në Kosovë, dhe të ketë në dispozicion vendstrehimet e para të sigurta në Prishtinë dhe do të evoluojë varësisht nga mbështetja lokale e institucionale dhe e shoqërisë civile.