Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lëndohet në vend të punës punëtorja të cilës “Trepça” ia ndërroi dy herë vendin e punës pa i konsultuar problemet shëndetësore të saj

QIKA 28.3.2025

Përgjegjësja e depos doracake në njësinë biznesore në Flotacion në Kishnicë, Valdete Shabani është lënduar në vendin e punës dhe aktualisht është duke u trajtuar në repartin e Emergjencës në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK).

Të enjten, një pjesë metalike me peshë shumë të rëndë i ka rënë në këmbë duke i shkaktuar lëndime në këmbën e majtë. Në po të njëjtën këmbë ku ajo, në tetor të vitit 2022 në Gjermani, kishte kryer një ndërhyrje kirurgjike, duke vendosur implant në një pjesë të saj – i cili që nga ajo kohë ia ka kufizuar ecjet e gjata, qëndrimin e gjatë në këmbë, vozitjen e veturës, peshat e rënda, qëndrimin në hapësira të ftohta e specifika të ngjashme.

Disa ditë më parë, po ashtu Betimi për Drejtësi, pati publikuar një storie hulumtuese, ku u tregua se si menaxhenti i Ndërmarrjes “Trepça” i kishte bërë dy herë transfere nga vendi i saj i punës, në njësi të tjera me detyra e përgjegjësi përtej aftësive fizike të saj, pa e konsultuar atë.

Ajo punonte si shefe e shërbimit logjistik dhe administrativ në Flotacion në Stantërg, më pas u transferua si Zyrtare të Logjistikës në njësinë biznesore në Metalurgji të Zinkut, pastaj në pozitë të Përgjegjëses së Depove në njësinë biznesore në Flotacion në Kishnicë.

Shabani kishte treguar se vendi ku ishte dërguar për të punuar në njësinë e metalurgjisë së Zinkut, si fillim, nuk i plotësonte as përafër kushtet e punës, marrë parasysh shëndetin e saj. Nuk kishte zyrë, kështu nuk kishte as çfarë të bënte.

Më 15 tetor të vitit të kaluar ajo ishte transferuar më pas në Njësinë Binesore në Kishnicë, si përgjegjëse e Depos Doracake, vend ky në të cilin për të përmbushur detyrat e saj, ajo duhej të kalonte nëpër rrugë vështirë të kalueshme dhe të çonte pesha të rënda, përgjegjësi këto, të cilat i kishte të ndaluara t’i vepronte sipas udhëzimeve të mjekëve, pas intervenimit të implantit në këmbë.

Fisnik Frangu, drejtor në Njësinë Biznesore në Kishnicë, ka thënë përmes telefonit se kanë formuar Komisionin e lëndimve në punë dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura me kohë. Ai shtoi se nuk mund të japë më shumë informacione dhe se këto janë procedurat e zakonshme që i marrin për lëndimet në punë dhe se ekipi i mbrojtjes në punë merren më pas me rastin.

Për të dy transferet, Shabani ishte ankuar në Komisionin e Ankesave brenda ndërmarrjes, ku kishte kërkuar të anuloheshin vendimet për transfere pikërisht për shkak të situatës së veçanatë shëndetësore që kishte, por të dy kërkesat i ishin refuzuar me arsyetimin e njëjtë se ishin të pabaza.

Më pas, ajo ishte ankuar në Inspektorat të Punës dhe kishte filluar procedurë gjyqësore ndaj Trepçës për të kërkuar të drejtën e vet.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në vendimin e datës 13 janar 2025, ka vendosur që ta pranojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet Trepçës për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në pozitën të cilën e kishte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen Trepça që Valdeten ta rikthejë në vendin e punës si Shefe e Shërbimit logjistik dhe administrativ.

Këtë vendim, Ndërmarrja e ka ankimuar dhe rasti aktualisht ka kaluar në Gjykatë të Apelit, të cilët ende nuk kanë nxjerrë ndonjë vendim për të.

Storien e plotë të “Betimi për Drejtësi” e gjeni këtu.