Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Laurie Penny: Aborti duhet të jetë pa pagesë, i sigurt dhe i ligjshëm për të gjithë

QIKA 5.5.2021

Askush nuk duhet të ndihet si viktimë kur merr vendime elementare për të ardhmen e saj.

Si kryhet një abort i mirë? Para ca muajve, Emily Letts, një amerikane 25 vjeçare xhiroi abortin e saj kirurgjik dhe e postoi videon në internet. Në klip, Letts buzëqeshë dhe pëshpëritë përgjatë gjithë procedurës të cilën ajo vendosi ta kryej vetëm sepse nuk donte të kishte fëmijë. “Po ndihem mirë”, tha ajo pasi përfundoi procedurën e abortimit dhe përmes këtyre tri fjalëve shkatërroi ankthin dhe frikën e gjeneratave të tëra mbi temën e abortit.

Ideja që aborti mund të jetë zgjedhje e mirë është ende tabu. Për disa, e vetmja arsye që kjo zgjedhje mund të tolerohet është në rastin kur shtatzënia është rrezik i menjëhershëm për jetë apo vie si pasojë e dhunimit. Edhe në atë rast, personi i cili kryen abortin pritet të ndihet keq gjithë jetën, të qaj e të vuaj për këtë vendim. Në Britani, Ligji mbi Abortin i vitit 1967,  obligon këdo që dëshiron të përfundojë shtatzëninë të arsyetohet se nëse e vazhdon shtatzëninë jeta dhe mirëqenia e saj ose e “pasardhësit” te saj do të rrezikohet. “Dua të abortoj thjesht sepse nuk dua të jem shtatzënë” nuk mjafton si arsyetim.

Prandaj u pa si skandal kur modelja Josie Cunningham deklaroi që po planifikonte të ndërpriste shtatzëninë për të marrë pjesë në një program televiziv. Mediat rozë menjëherë filluan ta kritikojnë Cunningham: ajo ishte definicioni i egoizmit, një grua që mburrej që ka kryer abort për ta zhvilluar karrierën. Jetojmë në një shoqëri që fetishizon “zgjedhjen”, kur në të njëjtën kohë u mohon gjysmës së popullsisë zgjedhjen më themelore – atë mbi autonominë e trupit të vet.

Ligji mbi Abortin i vitit 1967 nuk vlen për Irlandën Veriore. Gratë atje edhe pse paguajnë sigurim shëndetësor përmes taksave, vazhdojnë ta kenë të ndaluar të drejtën për abort, përveç nëse udhëtojnë për në Angli dhe e paguajnë vet. Si rezultat i vendimit të gjykatës së lartë, qindra gra çdo vit vazhdojnë të udhëtojnë për në Heathrow dhe Manchester, të frikësuara e të vetme, të futura në borxh, vetëm për të kryer këtë procedurë.

Në Irlandën Veriore, njësoj sikur në gjithë botën, ideja që gratë të kenë kontroll të plotë mbi shëndetin e tyre riprodhues– nocioni që ne duhet të kemi mundësinë të zgjedhim, pa turp e pa frikë, kudo dhe kurdo se a dëshirojmë të kemi fëmijë a jo –  frikëson të fuqishmit. Kur aborti diskutohet në publik, gati gjithmonë diskutohet mbi bazën e moralit individual. Shihet si gabim moral i grave egoiste që kërkojnë të drejtat e tyre. E shumë rrallë diskutohet mbi bazën e pabarazive strukturore e ekonomike. Sidoqoftë, pabarazia riprodhuese vazhdon të jetë një ndër bazat kryesore për shkak të së cilës gratë kanë status të klasës së dytë në shoqëri. Ndikon në çdo aspekt të së ardhmes sonë.

Mendoni, për shembull, mbi polemikën lidhur me “social surrogacies” – gra të pasura që paguajnë gratë e varfëra të mbesin shtatzënë dhe të lindin, në vend të tyre. Kur reagojmë të tmerruar mbi këtë ide, harrojmë që burrat bëjnë të njëjtën gjë: zgjedhin gratë që të mbajnë, bartin dhe  t’i rrisin fëmijët për ta sepse në këtë mënyrë burrat mund të vazhdojnë karrierën pa pasur nevojë ta ndërprejnë atë. Kjo është baza e pabarazisë gjinore dhe duhet të diskutohet sinqerisht si padrejtësi strukturore e jo si çështje e moralit individual.

Aborti, amësia dhe kujdesi për shëndetin riprodhues mbesin probleme stresuese, posaçërisht tani, kur kërkesat e grave për kontroll mbi trupin e tyre, po dallojnë shumë nga politikat publike zyrtare.

Në shtetet si Irlanda, Spanja dhe SHBA, trupi i grave vazhdon të jetë territori ku patriarkati zhvillon luftën për dominim moral.

Aborti mund të jetë një vendim i dhimbshëm dhe i vështirë – nëse, për shembull, ti do të doje të kishe një fëmijë por nuk je në pozitë për një vendim të tillë sepse termi ‘nënë vetushqyese’ vazhdon të jetë sinomim për termet ‘e varfër dhe e vetme’ dhe diskriminimi gjatë shtatzënisë vazhdon të jetë i përhapur. Por aborti mund të jetë edhe një vendim i lehtë. Nuk është e nevojshme që patjetër gratë të kalojnë vite duke u penduar, si shembulli i Emily Letts, që nuk pendohej fare.

Kështu, në rast se nuk isha e qartë në pozicionin tim. Aborti duhet të lejohet kur kërkohet, pa ndonjë ndalesë, për këdo që dëshiron ta kryej. Unë besoj që për aq gjatë sa shoqëria ende cakton limite mbi atë se çka duhet e çka nuk duhet të bëj një grua me trupin e saj, në kohën kur seksualiteti dhe aftësia riprodhuese janë ende të kontrolluara nga shteti, çdo diskutim për barazi dhe fuqizim të grave është thjesht shaka. Askush nuk duhet të ndihet si viktimë kur merr vendime elementare për të ardhmen e saj. Duhet të jetë e mjaftueshme thjesht të shkoj në klinikë dhe të thotë “Nuk dua” ose “Kam ndërruar mendje”.

Nëse do të kishte me të vërtetë mundësi për zgjedhje, shtatzënia, lindja e amësia nuk do të vinin së bashku me një numër të madh ndëshkimesh për të gjitha gratë, përveç atyre të pasurave. Shoqëria duhet të mësohet të siguroj mbështetje për të gjithë prindërit, beqarë apo në lidhje, të punësuar apo të papunë, para se t’i obligoj ata të jetojnë në lëmoshë, të turpëruar dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm që mund të përjashtohen nga rrethi.

Kështu do të dukej një situatë ku me të vërtetë ekziston e drejta për të zgjedhur. Problemi me idenë që t’i lejojmë njerëzit të marrin vendime për vetën, është që gjithsesi disa prej tyre do marrin vendime jo të mira me të cilat ne nuk pajtohemi. Shumë njerëz kanë arsye fetare ose personale për të mos pranuar abortin dhe ata janë të lirë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë, që të mos kryejnë abort për veten e tyre. Por, ka ardhur koha të ndryshojmë këtë debat në thelb. Është koha të kërkojmë të drejta riprodhuese për të gjithë – pa pasur nevojë të kërkojmë falje.

E përktheu: Njomza Tmava

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.newstatesman.com/society/2014/05/abortion-should-be-free-safe-and-legal-everyone